I Dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, i ka mirëpritur diskutimet brenda Samitit të Ministrave të Jashtëm që është mbajtur në Londër të Anglisë.
“Takime shumë të frytshme në mes të Mbretërisë së Bashkuar-Bashkimit Evropian plus Ballkanit Perëndimor, sot në Londër.Nuk ka alternativë për integrimin e rajonit në BE. I lumtur që kjo u theksua nga të gjithë pjesëmarrësit”, është shprehur Lajçak.
Në samitin e sotëm, Kosovën e ka përfaqësuar Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
Me këtë rast Gërvalla ka deklaruar se përkundër progresit që është bërë që nga formimi i qeverise së re, Kosova është përballur me kërcënime nga Serbia.
Gërvalla ka vënë në pah se Serbia para pak javësh ka dërguar automjete të blinduara, trupa dhe aeroplanë luftarakë në kufirin me Kosovën.
Megjithatë kryediplomatja kosovare ka thënë se Kosova nuk është e vetmja që po kërcënohet por që ka një përshkallëzim të retorikës nga Serbia, edhe ndaj disa vendeve tjera të rajonit.
“Nacionalistët serbë po e kërcënojnë Kosovën me luftë, po provokojnë ndarje në Bosnje dhe Hercegovinë, siç bënë edhe në vitin 1991, si dhe po përpiqen të destabilizojnë së brendshmi edhe vendet e tjera. Këto nuk janë incidente të veçuara; ato janë pjesë e një fushate sistematike për destabilizimin e rajonit, e ndërmarrë nga Rusia dhe përfaqësuesja e saj Serbia. Vetëm para disa javësh u detyruam të largonim nga vendi ynë dy diplomatë rusë për shkak se përbënin kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare”, tha Gërvalla.
Gërvalla e ka quajtur gënjeshtër të pastër edhe qëndrimin e ministrit serb Vulin, rreth masakrës së Reçakut.
Ndryshe ministri serb Vulin edhe gjatë ditës së djeshme ka vazhduar deklarimin për masakrën e Reçakut, ku sërish e ka quajtur “ngjarje të rreme”.