Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraqet një pikë kthese në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve.
Të dyja palët tani duhet të zbatojnë të gjitha nenet nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Lajçak në një intervistë për Radion Evropa e Lirë,
Këtu përfshihet neni katër, i cili thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, theksoi Lajçak dhe shtoi se Kosova ka për obligim që menjëherë të fillojë zbatimin e marrëveshjes për formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Lajçak pranoi se në parim BE kishte një plan më ambicioz, i cili përfshinte nënshkrimin e një marrëveshjeje dhe një projekt-aneksi me afate kohore dhe detyra të qarta.
Sipas tij, liderët nuk kanë mundur të bien dakord për çdo pikë dhe ka pasur edhe refuzimin e presidentit serb për të nënshkruar dokumentin, kështu që propozimi origjinal është ndryshuar.
Lajçak paralajmëroi një takim shumë shpejt të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, për të filluar punën për zbatimin e dispozitave nga marrëveshja e arritur më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.
Tashmë kemi filluar procedurat e brendshme në Bashkimin Evropian për të zyrtarizuar këtë faktor të futjes së asaj pjese të agjendës së BE-së për Serbinë dhe Kosovën, dhe si hap i radhës në dialog do të ftoj negociatorët kryesorë në Bruksel dhe do të diskutojmë hapat për zbatimi, për t’u siguruar që të kemi një marrëveshje për këtë, theksoi Lajçak.
Çështja që është përmendur shpesh në diskursin publik ishte nënshkrimi i marrëveshjes, tha Lajçak dhe shpjegoi se propozimi i BE-së si ndërmjetës ishte nënshkrimi i dokumenteve.
“Vuçiq e bëri të qartë se ai nuk ishte në gjendje ta nënshkruante këtë dokument dhe përmendi kufizimet kushtetuese, kështu që ne ramë dakord që dokumenti të jetë formal përmes deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe kjo është plotësisht në përputhje me praktikën juridike ndërkombëtare”, theksoi Lajçak.
Lajçak ka treguar se kjo do të thotë se ky dokument është detyrues, zyrtar dhe formal, kështu që të gjitha spekulimet se a është i vlefshëm apo jo janë të pakuptimta.
Ai shpjegoi se do të krijohet një Komitet i Përbashkët për të monitoruar, vlerësuar dhe raportuar mbi zbatimin dhe do të kryesohet nga BE-ja.
“Ky është një nga elementët e aneksit, ku thamë se brenda 30 ditëve do të ngrihet ky këshill i përbashkët mbikëqyrës. Tani po punohet intensivisht në përcaktimin e detyrës për këtë komision të përbashkët mbikëqyrës”, tha Lajçak, ku potencoi se pjesë e atij komisioni do të jenë edhe Kosova dhe Serbia.
Lajçak theksoi se BE-ja do t’i informojë vendet anëtare, kështu që progresi në rrugën e BE-së dhe për Kosovën dhe Serbinë do të varet nga zbatimi i dispozitave të kësaj marrëveshjeje dhe aneksit.
Ai përsëriti se BE-ja kishte planifikuar afate shumë specifike në dokumentin fillestar, por tani nuk dëshiron t’i vendosë ato për të dyja palët.
“Duhet të biem dakord për këtë kur të takohemi, por nuk është sekret. E kemi thënë shumë herë se duam ta përfundojmë këtë proces gjatë mandatit të lidershipit aktual të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian dhe administratës amerikane”, theksoi Lajçak.
“Në vitin e ardhshëm pritet të ketë një realitet të ri politik, zgjedhje në Evropë dhe SHBA dhe do të ketë më pak vëmendje dhe përkushtim”, vazhdoi Lajçak.
“Besoj se kemi kohë të mjaftueshme për të përfunduar me sukses këtë proces dhe për të zbatuar dispozitat e kësaj marrëveshjeje, por gjithçka varet nga përkushtimi i palëve”, përfundoi Lajçak, transmeton Fol Drejt.