Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar sot në Vjenë zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës Besnik Bislimi, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e procesit të dialogut në Bruksel.
“I kënaqur për një takim konkret dhe konstruktiv për rrugën përpara në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës Besnik Bislimi sot në Vjenë. Mezi presim të vazhdojmë diskutimet tona javën e ardhshme në Kosovë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Ndryshe, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka konfirmuar sot se javën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi do të qëndrojë i dërguari i posaçëm për dialogun Miroslav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Borrell tha se qëllimi i kësaj vizite do të jetë angazhimi për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Dialogu Kosovë-Serbi ka nisur më 2011. Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është mbajtur në korrik 2021.