Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas lajmit për njohjen e patentë shoferëve nga Gjermania.
Ai ka thënë sot se ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës në Gjermani.
Ministri Sveçla në një postim në Facebook njofton se këtë javë kanë marrë aprovimin e Qeverisë së Kosovës edhe për nismat e marrëveshjeve të tilla edhe me Turqinë e Kanadanë dhe jemi në proces me Italinë e Austrinë.
Lexoni të plotë postimin:
Një lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarët tanë në Gjermani.
Në mbledhjen e Bundesratit Gjerman, sot është votuar njohja e ndërsjellë e patent shoferëve mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës.
Ky sukses është rezultat i një angazhimi të madh të ekipeve tona, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për punën e tyre të palodhshme si dhe kërkesa më e shpeshtë e qytetarëve tanë kudo nga Gjermania. Që nga marrja e detyrës kemi punuar intensivisht që ky proces të përfundojë suksesshëm dhe sa më parë.
Marrëveshja sipas legjislacionit në Republikën Federale të Gjermanisë ka marrë aprovimin e të gjitha landeve dhe patent shoferët do të njihen në tërë Gjermaninë.
Të dashur qytetarë që jetoni kudo në diasporë,
Lehtësimi i jetës dhe veprimtarisë suaj është përgjegjësi e jona në bashkëpunim me shtetet aleate ku ju jetoni. Në të gjitha takimet me homologët e mi kam ngritur këtë dhe çështje të tjera për ju.
Këtë javë ne kemi marrë aprovimin e Qeverisë sonë për nismat e marrëveshjeve të tilla edhe me Turqinë e Kanadanë dhe jemi në proces me Italinë e Austrinë dhe natyrisht do të njoftoheni me të gjitha proceset që do të nisim apo finalizojmë. /FolDrejt/