Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës, ka reaguar sot pas lajmit për njohjen e patentë-shoferëve të Kosovës nga Gjermania.
Osmani thotë se i është jashtëzakonisht mirënjohëse për bashkëpunimin e institucioneve gjermane në trajtimin e kësaj kërkese të kamotshme.
“Ky hap sot konfirmon besueshmërinë e institucioneve gjermane në procedurat dhe punën e institucioneve tona, e rrjedhimisht kontribuon në avancimin tutje të raporteve tona tashmë të shkëlqyeshme bilaterale”, shkruan Osmani në Facebook.
Ky është postimi i saj:
Një lajm shumë i mirë për mërgatën tonë në Gjermani!
Sot në Bundesratin gjerman u dha drita e gjelbër për njohjen e patentë shoferëve në Kosovë.
Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, në takimet me Presidentin Steinmeier, si dhe në takimet me ish- ministrin e punëve të jashtme, z. Maas fillimisht në Prishtinë me 22 prill të vitit të kaluar, e pastaj dhe gjatë qëndrimit tim në Berlin, kjo ishte një prej diskutimeve kryesore, e cila reflektonte edhe një prej brengave kryesore të mërgatës sonë atje.
Jashtëzakonisht mirënjohëse për bashkëpunimin e institucioneve gjermane në trajtimin e kësaj kërkese të kamotshme.
Ky hap sot konfirmon besueshmërinë e institucioneve gjermane në procedurat dhe punën e institucioneve tona, e rrjedhimisht kontribuon në avancimin tutje të raporteve tona tashmë të shkëlqyeshme bilaterale. Do të vazhdojmë punën në bashkëpunim me institucionet tjera në vend për tu siguruar që ky shembull të ndiqet edhe nga shtetet e tjera të BE-së. /FolDrejt/