Brenda disa javësh u demantuan dy lajme të cilat preknin fushën e sigurisë në vend.
I pari fliste për largimin e ushtarëve amerikan nga kampi “Bondsteel”, ndërsa i dyti për largimin e ushtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës duke marrë viza në Ambasadën gjermane.
Të dy këto dy lajme u demantuan nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ajo e Gjermanisë në Kosovë.
Kolonel Sefer Isufi nga FSK thotë se opinioni kosovar duhet të ketë kujdes që mos të bie pre e dezinformatave.
“Dezinformimi që përfshinë përhapjen e informacionit apo lajme të rreme është njëra nga metodat e Luftës Hibride e cila gjatë dekadës së fundit, është bërë term i ri në leksikonet akademike të Mbrojtjes dhe sigurisë, që synon të sugjerojë një lloj përzierjeje midis mjeteve dhe metodave të ndryshme ushtarake dhe joushtarake”, thotë Isufi, raporton Kallxo.com.
Por, ai thotë se siguria në vend mbetet e qetë dhe qytetarët nuk duhet të shqetësohen.
“Duke marrë parasysh të gjitha këto, edhe në adresimet e mëhershme zyrtare, por edhe tani me adresimin e fundit të javës së kaluar para mediave të ministrit Mehaj, Ministria e Mbrojtjes, rikujton të gjithë qytetarëve të vendit se nuk ka vend për asnjë shqetësim për sigurinë e vendit”, vlerëson ai.
“Prandaj apelojmë edhe në këtë rast të gjithë qytetarët që të jenë të vëmendshëm e të mos bien pre e dezinformatave por të adresohen vetëm te burimet dhe platformat zyrtare të informimit të institucioneve tona”, thotë Sefer Isufaj.