Biden udhëton këtë javë për në Evropë, por në Ukrainë nuk do të shkojë pavarësisht thirrjeve që po i bëhen nga Kievi zyrtar.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka bërë të ditur se presidenti Joe Biden përkundër thirrjeve të Kievit zyrtar nuk ka ndërmend të udhëtojë drejt Ukrainës këtë javë që vjen, teksa ai do të vizitojë Brukselin për të marrë pjesë në samitin për Evropën.
“Udhëtimi do të përqendrohet në vazhdimin e tubimit të botës në mbështetje të popullit ukrainas dhe kundër pushtimit të Ukrainës nga presidenti Putin, por nuk ka në plan që të udhëtojë drejt Ukrainës”, tha ajo në një postim në Tëitter.
Ndërkaq, ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas-Greenfield ka hedhur dyshime të mëdha mbi mundësinë që presidenti Joe Biden të vizitojë Ukrainën këtë javë kur të shkojë në Evropë.
Ditën e djeshme ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko, deklaroi se një vizitë e Bidenit në Ukrainë do të ishte një simbol solidariteti dhe një hap jashtëzakonisht i drejtë për të treguar se e gjithë bota është e bashkuar me Ukrainën kundër Rusisë./FolDrejt/