Një serb i cili ishte raportuar i zhdukur në pjesën veriore të Mitrovicës është gjetur sot pa shenja jete, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
I ndjeri ishte raportuar mbrëmjen e së shtunës në polici si i zhdukur.
Siç kishte njoftuar PK-ja me anë të raportit 24 orësh, një person ka bërë të ditur se vëllai i tij ishte larguar nga shtëpia të premten dhe se nuk dihej asgjë për të.
Trupi i pajetë i këtij personi u gjet sot jo shumë larg shtëpisë ku ka jetuar.
Një gjë të tillë e bëri të ditur për media Veton Elshani, zëvendëskomandant i PK-së për rajonin e veriut.
Bëhet fjalë për S.N. i lindur në vitin 1970, i nacionalitetit serb.
Policia nuk beson se bëhet fjalë për vepër penale, por dyshon se ka qenë aksident.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.