Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të ri në lidhje me çështjen e targave, afati i fundit për konvertimin e të cilave ishte përcaktuar 31 tetori.
Kryeministri Kurti gjatë mbledhjes bëri të ditur se në tri javët e para, moskonvertimi do të çojë në qortim, për të kaluar më pas në gjobë dhe deri në afatin e fundit, kur me 21 prill nuk do të lejohen më targa tjera në Kosovë.
“Duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit e pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Dhe pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë e pastaj më 21 prill nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti./FolDrejt/