Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.
Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.
Përveç ministres, për korrupsion po akuzohet edhe Fitim Mustafa, ish-drejtor i Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Integrimeve Evropiane (MIE) dhe Gëzim Dushi, ish-zyrtar i MIE.
Pjesë e aktakuzës është edhe ish-zyrtari shtetëror, E.T, i cili sipas prokurorisë ka ndihmuar në kryerjen e veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë:
“Prokurori Speciale njofton se tre të pandehurit me inicialet F.M., Dh.H dhe G.D, në cilësi të personave zyrtarë dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së. Ndërkaq i pandehuri E.T. dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Ndihmë në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Theksojmë se kjo është hera e dytë që ngritët aktakuzë ndaj ish-ministres, Dhurata Hoxha dhe Fitim Mustafës./FolDrejt/