Shefi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Bërthamore të Kombeve të Bashkuara do të shkojë urgjentisht në Kiev, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret për të inkorporuar termocentralin më të madh bërthamor të Ukrainës, që ndodhet në Zaporizhzhia.
“Rrugës për në Kiev për takime të rëndësishme. Nevoja për një Zonë Mbrojtëse të Sigurisë dhe Sigurisë Bërthamore (NSSPZ) rreth termocentralit bërthamor në Zaporizhzhia. Është tani më urgjente se kurrë”, shkroi në Twitter, Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) , shkruan CNN, transmeton KlanKosova.tv.
Forcat ruse kanë kontrolluar termocentralin bërthamor Zaporizhzhia për muaj të tërë dhe në atë zonë ka pasur luftime të ashpra në javët e fundit.
Të mërkurën, Putin nënshkroi një dekret që e vendos fuqinë bërthamore të Zaporizhzhia nën kontrollin e shtetit rus dhe ndryshon kushtetutën e vendit duke pranuar rajone të reja në Federatën Ruse.
Kujtojmë, se aneksimi i Zaporizhzhia dhe tre rajoneve të tjera është dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar si “mashtrim” dhe shumica dërrmuese e qeverive e kanë përshkruar atë si kundër ligjit ndërkombëtar.