Në rrënojat e qyteteve të lashta shqiptare, hajdutët e thesareve gërmojnë, pothuajse pa u ndëshkuar, për ar, argjend apo gjetje të rralla arekologjike që më pas mund t’i shesin, duke zemëruar studiuesit.
Në rajonin e Korçës, në juglindje të këtij vendi të vogël në Gadishullin Ballkanik, mbetjet e Hijës së Korbit, një qytet i rëndësishëm antik, janë të mbuluara me bimësi.
Kudo mund të shihni vrima në tokë dhe toka është e mbuluar me mbetje qeramike, dëshmitarë të një gërmimi të paligjshëm.
Asnjë administratë nuk e mbron këtë zonë arkeologjike disa mijëvjeçare.
“Gërmojnë kudo me shpresën për të gjetur ar, argjend dhe sende të tjera me vlerë”, shpjegon 60-vjeçari Axhem Lagështari, banor i zonës.
Zbulimi në zonë në vitin 1980 i 618 monedhave të argjendit (disa të Aleksandrit të Madh) tërheq hajdutët e thesareve.
Kjo zonë malore ruan një trashëgimi të rëndësishme të përbërë nga nekropole, fortifikime dhe mbetje të tjera që datojnë nga epoka e bronzit deri në mesjetë. Arkeologët thonë se pothuajse të gjitha vendet janë gërmuar ilegalisht.
“Problemi është veçanërisht shqetësues në Hijën e Korbit (Korçë) një qytet i rëndësishëm që ende nuk është gërmuar nga arkelologët, ankohet Rovena Kurti, drejtuese e Departamentit të Parahistorisë në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë (kryeqyteti shqiptar).
Shkatërrimi i pronave shkencore
Grabitësit punojnë natën me lopata, kazma dhe buldozerë. Në rrjetet sociale nuk mungojnë reklamat për blerjen e detektorëve “ar, argjend dhe sende me vlerë”.
Me veprimet e tyre “dëmtojnë truallin dhe vjedhin trashëgiminë”, sqaron Rovena Kurti.
Por ato gjithashtu i pengojnë shkencëtarët të mbledhin të dhëna dhe t’u japin objekteve një kontekst që i ndihmon ata të kuptojnë kohën, thotë Cécile Oberëeiller, e cila drejtoi një mision arkeologjik në Korçë.
Në verilindje të Tiranës, në Brrar, gjendja e rrënuar dhe vrimat në mure shpërfytyrojnë një kishë të shekullit XI-XII dhe dëshmojnë për lakminë e grabitësve.
Dhe, në tokë, dikush gërmoi kohët e fundit.
Megjithatë, kjo kishë është e regjistruar në trashëgiminë kulturore të vendit dhe duhet të mbrohet, shkruhet në artikullin e El Magazín Cultural.
Studiouesit bëjnë thirrje për ndëshkim të ashpër dhe për një koordinim më të mirë midis policisë, autoriteteve lokale dhe autoriteteve kulturore, për të parandaluar trafikimin e objekteve arkeologjike, shpesh në duart e bandave të organizuara.
Ministrja shqiptare e Kulturës siguroi se ata “përforcuan masat” për mbrojtjen e “trashëgimisë kulturore” dhe bashkëpunimin “me organizatat ndërkombëtare për të luftuar trafikimin e paligjshëm të pasurive kulturore”.
Edhe pse nuk ka përllogaritje për vlerën e mallrave të grabitura në tregun ndërkombëtar, disa studiues shqiptarë janë të bindur se këto objekte përfundojnë në ankande, muze dhe koleksione.
“Është një betejë që Shqipëria nuk mund ta bëjë e vetme, përgjegjësia bie edhe mbi autoritetet e vendeve, të cilët mbyllin sytë kur këto objekte përfundojnë në muzetë e tyre”, thotë Neritan Ceka, historian arti.
Aktakuza në Francë e Jean-Luc Martinez, ish-drejtues i Muzeut të Luvrit (më i madhi në botë), për trafik të supozuar të antikave nga Lindja e Mesme, vuri në qendër të vëmendjes këtë lloj tregtie të paligjshme.
Arkeologu francez Pascal Darcque denoncon, nga ana tjetër, “praktikat e dyshimta të muzeve në tregun e antikave dhe shesin pa u shqetësuar shumë për origjinën e objekteve”.
“Duke pasur parasysh se shumica e vendeve kontrollojnë gërmimet arkeologjike në territorin e tyre, “objektet që dalin në treg sot janë apriori të dyshimta,” shpjegon ai./abcnews.al/