Trajneri i Chelsea, Frank Lampard, po bëhet gati për një rikthim në fushat e blerta dhe duket se ka gati edhe planet e tij.
Pas një suspendimi të gjatë si pasojë e pandemisë Covid-19, Premierliga është gati të rikthehet në fushat e blerta.
Stërvitjet e skuadrave (të plota) pritet të rifillojnë më 18 maj, kurse ndeshjet më 12 qershor. Para këtyre ndeshjeve, Lampard po shpreson ta ketë në dispozicion N’Golo Kante.
“Është e qartë se kemi nevojë për N’Golo Kante që të kthehet në skuadër, ai është një nga lojtarët më të mirë në botë. Unë e dija këtë edhe para se të emërohesha trajner i Chelsea dhe e di edhe tani që kam punuar me të”, ka thënë Lampard.
Kante është lidhur me një largim të mundshëm nga Chelsea gjatë kësaj vere. Kriza që mund të përcjell skuadrat pas pandemisë mund të ndikojë në të ardhmen e tij.