Forcat e udhëhequra nga Rusia përfunduan tërheqjen e trupave të mërkurën nga Kazakistani, sipas agjencisë ruse të lajmeve, duke cituar kreun e misionit. Megjithatë, të mërkurën, forcat e sigurisë kazake po përgatitën të përballen me protesta të reja.
“Operacioni paqeruajtës në territorin e Republikës së Kazakistanit ka përfunduar,” tha Andrei Serdyukov, kreu i këtij misioni të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Moska.
Duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes, agjencitë raportojnë se “katër avionë transportues të Forcave Ajrore Ruse me paqeruajtës janë larguar sot nga aeroportet Nursultan dhe Almaty” në Kazakistan.
Tërheqja vjen në ditën kur Kazakistani i dha fund gjendjes së tij të jashtëzakonshme pas protestave kundër rritjes së çmimeve të energjisë, të cilat çuan në trazira dhe shtypje nga autoritetet gjatë ditëve të para të janarit, raporton abcnews.al
Megjithatë, forcat e sigurisë kazake të mërkurën nxituan të mbyllin disa rrugë kryesore në Almaty dhe të bllokojnë sheshin kryesor të metropolit kazak, pasi një pjesë e opozitës po përgatitet për demostrata. Numri zyrtar i të vdekurve është 225, me autoritetet që raportojnë rreth 12,000 arrestime.
Autoritetet në Kazakistan pretenduan se sulmuesit udhëhiqeshin nga të huajt por nuk dhanë prova për natyrën “terroriste” të trazirave./abcnews.al