Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, u takua sot me kryetarin e Landit të Steiermarkut të Austrisë , Christoph Drexler dhe me kryetaren e komunës së Grazit, Elke Kahn, ku temë disktutimi ishte bashkëpunimi midis sistemeve shëndetësore respektive.
Pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës, pjesëmarrës në takim ishte edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Lulzim Pllana.
Në këtë takim, i cili u zhvillua në vazhdën e vizitës zyrtare në Austri, bëhet e ditur se Latifi kërkoi nga Drexler bashkëpunim dhe përkrahje për përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. Ai po ashtu shtoi se sistemi shëndetësor në Kosovë kërkon transformim të rrënjësishëm, prandaj “bashkë me ekspertët e Grazit, do të bëjmë më të mirën për shëndetësinë e Kosovës” dhe theksoi rëndësinë e “kthimit të trurit” për të kontribuar në shëndetësinë e Kosovës.
Meqë Kosova dhe Austria kanë marrëdhënie shumë miqësore, shkëmbimi i eksperiencave mes dy vendeve dhe mundësia e trajnimit të mjekëve të rinj dhe studentëve nga Kosova në Austri, sipas ministrit Latifi, është qëllimi kryesor i kësaj vizite.
Ndërkaq, kryetari i Republikës së Steiermarkut, Christoph Drexler, falënderoi ministrin Latifi për këtë takim, duke thënë se Kosova si vend është i rëndësishëm për Austrinë dhe Grazi është i interesuar për të bashkëpunuar dhe ndihmuar.
Po ashtu në takimin me kryetaren e komunës së Grazit, Elke Kahr, Latifi theks të veçantë i dha interesimit për komunitetin shqiptar, bashkëpunimit mes dy vendeve, bashkëpunimit në shëndetësi dhe shkëmbimit në programet shkencore për studentët.