Për më shumë se një vit, vaksinimi kundër COVID-19 ka qenë prioritet numër një në botë në ballafaqimin me COVID-19 dhe, gjithashtu, edhe në Kosovë.
Dhe, të jesh në krye dhe pjesë e këtij procesi jetik për shëndetin publik të popullatës, është sa përgjegjësi, aq edhe motiv dhe privilegj për t’i shërbyer popullatës në ditë shumë të vështira, transmeton Fol Drejt.
Kështu tha Ministri i Shëndetësisë Dr. Rifat Latifi sot në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për ekipet e vaksinimit në komunën e Pejës, të cilat i ka falënderuar për punën në vaksinimin e popullatës.
Përderisa klinicistët, theksoi ministri, janë heronjtë tanë në trajtimin e të prekurve me COVID-19, ekipet e vaksinimit jeni heronjtë e parandalimit të shumë vdekjeve nga COVID-19 në Kosovë, përmes vaksinimit.
Ministri Latifi tha se vaksinimi mbetet mënyra më e thjeshtë dhe më efektive në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes nga COVID-19, dhe u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të vaksinohen, sepse pandemia nuk ka përfunduar ende ndërsa në vende të ndryshme të botës është duke u përhapur nën-varianti BA 2 i Omicron, që e bën vaksinimin të domosdoshëm.
Drejtoresha e QKMF-së në Pejë, znj. Myrvete Salihu ka falënderuar ministrin Latifi për bashkëpunimin, kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka treguar në këtë proces. Po ashtu, Ministrinë për mbështetjen e vazhdueshme të procesit të vaksinimit kundër COVID-19 me staf mbështetës./FolDrejt/