Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka deklaruar se specializantët me vetëfinancim do të mbesin të rregullt në punë.
Latifi deklaroi se nuk do t’i thonë specializantëve se përfundojnë në gusht dhe se ata nuk janë të interesuar t’i largojnë specializantët me vetëfinancim.
“Kisha pas dëshirë të madhe që kjo kontrata kurrë mos me u përmend më derisa ata të mbarojnë specializimet. Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar të lëmë specializatët të cilët i kemi pranuar. Ata nuk kanë me dal prej punës, ne nuk do t’u themi që jeni deri në gusht edhe kjo mbaron, ata do të mbesin të rregullt”, tha Latifi.
“Kemi specializantë në një disiplinë klinike më shumë sesa duhet. Nuk na duhen specializantë vetëm për një lëmi të caktuar, prandaj ndoshta duhet ta bëjmë një ridestinim në bazë të nevojave. E në anën tjetër e kemi një grumbullim të madh të specializantëve dhe specialistëve në QKUK ndërkaq në spitale rajonale nuk ka mjek”, shpjegoi ministri për Telegrafin.
Ai tha se mund të ketë nevojë për specializantë si krah pune, por siç tha ai duhet të përgatiten specializantët.