Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov ka thënë se çdo bisedim paqeje në Ukrainë duhet të fokusohet në krijimin e një “rendi të ri botëror” dhe të marrë parasysh “interesat ruse dhe shqetësimet ruse”, raporton Al Jazeera, përcjell Fol Drejt.
Rusia ka thënë prej kohësh se po udhëheq një luftë kundër dominimit të Shteteve të Bashkuara në skenën globale dhe argumenton se ofensiva e Ukrainës është pjesë e kësaj lufte.
Në fillim të kësaj jave, Moska tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vazhdonte ofensivën e saj më shumë se njëvjeçare në Ukrainë, duke mos parë zgjidhje diplomatike.
“Çdo negociatë duhet të bazohet në marrjen parasysh të interesave ruse dhe shqetësimeve ruse”, tha Lavrov të premten pas takimit me homologun e tij turk Mevlut Çavusoglu në Ankara.
“Duhet të bëhet fjalë për parimet mbi të cilat do të bazohet rendi i ri botëror,” tha ai, duke shtuar se Rusia kundërshton një “rend botëror unipolar të udhëhequr nga “një hegjemon””.
Cavusoglu, vendi i të cilit priti bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës vitin e kaluar, bëri thirrje për një rifillim të dialogut dhe shprehu “shqetësimin se lufta do të përshkallëzohet në pranverë”. /FolDrejt/