Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka mbërritur në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në seancat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 24 dhe 25 prill, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova.
“Sergei Lavrov mbërriti në Nju Jork. Nesër do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën ai e kryeson”, ka shkruar ajo në kanalin e saj Telegram, siç raporton agjencia ruse e lajmeve e cila është pro regjimit TASS.
“Mbi 700,000 njerëz ndoqën fluturimin e Lavrov”
Zakharova njoftoi se më shumë se 700,000 njerëz ndoqën fluturimin e Lavrov për në SHBA duke përdorur Flightradar. Lavrov sot pritet të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.
Lavrov ftoi diplomatët më të lartë të disa vendeve, përfshirë shefin e diplomacisë amerikane, Antony Blinken, të marrin pjesë në seancat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të kryesuar nga Rusia.
Por nuk është e sigurt nëse Lavrov dhe Blinken do të takohen në OKB. Lavrov pretendon se Moska është e gatshme të shqyrtojë një takim me Blinkenin dhe nuk refuzon propozimet serioze të palës amerikane për dialog. Para mbërritjes së delegacionit rus në Nju Jork, zëvendësministri rus Sergei Ryabkov tha se ende nuk ka plane për një takim të tillë, shkruan TASS. /FolDrejt/