Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova mendon se zgjidhja për të parandaluar presidentin Hashim Thaçi që në Bruksel të dialogojë për ndarjen e Kosovës, nuk mund të gjendet në rrugë.
Rugova për Periskopin ka folur pas ftesës së Vetëvendosjes që bashkë këto dy parti të organizojnë protesta lidhur me zhvillimet e fundit në politikën vendore.
Sipas Rugovës, LDK ka bërë protesta për çështje madhore atëherë kur Vetëvendosje s’ka qenë askund.
“Dëgjoni, nuk është vendim personal që mund ta bëj unë. Një vendim të tillë e dinë Kryesia bashkë me kryetarin Isa Mustafa, askush tjetër. Ne në parim si parti nuk jemi për protesta dhe nuk kemi qenë asnjëherë. Kur kemi bërë ne si parti protesta në periudha më të rënda, ata s’janë askund, as nuk janë kanë të lemë. Edhe tash nuk është te na vlerë e partisë. Brenda institucioneve provojmë me i zgjidhë problemet”, thotë Rugova.
Sidoqoftë, ai thotë se LDK çdo vendim e merr pas mbledhjes së Kryesisë, ku edhe vendoset se si të veprohet tutje.