Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka bërë të ditur se akoma nuk kanë vendosur se a do të marrin pjesë në seancën e thirrur nga kryeministri Albin Kurti për referendumin e Serbisë.
Ai, për Klankosova.tv, ka thënë se nesër do të takohen për këtë çështje.
“Ditën e nesërme, do të mblidhet grupi parlamentar i LDK-së dhe do të vendosim dhe merret vesh qëndrimi i LDK-së”, ka thënë Gashi për Klankosova.tv.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se ky subjekt politik nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme.
Ndërsa, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se do të marrin pjesë në seancë.
Në kërkesën e Kurtit thuhet se diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Kosovës për këtë çështje.