Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dërguar komentet e veta kundërshtuese në Zyrën Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Sipas këtyre komenteve, si subjekt politik, ajo është deklaruar kundër rritjes së tarifave të energjisë elektrike.
Për më shumë, LDK ka kërkuar që të mos ketë ndryshim të çmimit të energjisë, deri në vitin 2023, ndërsa konsiderojnë që Qeveria e Kosovës duhet të subvencionojë të gjithë qytetarët e Kosovës për shpenzimet për energji elektrike dhe të ulë në zero vlerën e tatimit për energji elektrike.
Kjo u bë e ditur në një konferencë për medie nga anëtari i kryesisë së këtij subjekti, Xhafer Tahiri dhe deputetja, Hykmete Bajrami, e cila prezantoi edhe propozimet e këtij subjekti politik për ZRRE-në dhe Qeverinë e Kosovës lidhur me tejkalimin e krizës energjetike.
“LDK sapo ka nisur komentet e saja në ZRRE lidhur me raportin vlerësues për ngritjen e tarifave për energjinë elektrike. Për LDK-në mbrojtja e interesave të qytetarëve është jetike përmes mekanizmave institucionalë në këtë rast, duke i dërguar komentet e veta në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, duke kundërshtuar rritjen e tarifave për energjinë elektrike”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa Bajrami tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar në menaxhimin e krizës energjetike e cila ka sjellë humbje për Kosovën deri tani 120 milionë euro. Sipas tyre, LDK do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat për ta kundërshtuar një vendim të tillë./FolDrejt/