Politikania franceze e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka kërkuar mbylljen e më shumë xhamive në vend.
Kërkesa e lideres së Frontit Kombëtar (FN) vjen pavarësisht mbylljes së 24 xhamive në Francë gjatë dy viteve të fundit me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ai (Darmanin) mbyll një xhami atje, një xhami këtu. Ai shkarkon një predikues herë pas here, po ai duhet të mbyllë të gjitha xhamitë ekstremiste në tokat tona”, tha Le Pen në një intervistë për kanalin televiziv francez ‘BFMTV’.
E pyetur mbi kriteret e saj për mbylljet, ajo tha se të gjitha muslimanët që kanë “retorikë radikale” duhet të dëbohen.
Në muajin gusht të vitit 2021, autoriteti më i lartë kushtetues i Francës miratoi një ligj të diskutueshëm “anti-separatizmi” që është kritikuar për veçimin e muslimanëve.
Projektligji u miratua verën e kaluar nga Asambleja Kombëtare, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga ligjvënësit djathtist dhe majtist.
Duke u ndalur në gjykimin e ardhshëm të ministrit të Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, në një rast të konfliktit të interesit, Le Pen i kërkoi presidentit Emmanuel Macron largimin nga posti.
Lidhur me sanksionet ndaj Rusisë, Le Pen pohoi se sanksionet franceze nuk funksionuan, duke shtuar se sanksionet i kanë vendosur francezët në një situatë të vështirë.
Ajo theksoi se Rusia gjatë kësaj periudhe kishte të ardhura shtesë me vlerë 40 miliardë euro me eksportet e naftës.
Le Pen po ashtu tha se ky dimër dhe dimri i vitit të ardhshëm do të jetë të vështirë për shkak të ndërprerjes së furnizimit me gaz nga Moska, duke shtuar se sanksionet kundër Rusisë ishin të pa menduara./FolDrejt/