Kitaristi i talentuar, Ledion Halitaj, ka arritur ta fitojë çmimin “Europiani i Vitit” nga Bashkimi Europian. Talenti 11-vjeçar me triumfin për këtë çmim, tashmë ka finalizuar më shumë se 16 medalje vendore e ndërkombëtare në kabinetin e tij të ëndrrave.
Nga Gëzim Olluri
Në mesin e shumë figurave nga veprimtari të ndryshme, Ledion Halitaj, është renditur i pari për çmimin “Europiani i Vitit”, çmim ky që jepet nga zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë. Halitaj ka tri vite që merret me kitarë dhe brenda dy viteve ka arritur të rrëmbejë më shumë se 16 çmime nga vendi e bota si kitarist.
“Ndihem i lumtur që jam në mesin e pesë personaliteteve të njohura në vend të nominuar për çmimin “Europiani i Vitit”. Ky nominim më motivon që të punojë edhe më shumë në të ardhmen. Aktualisht jam duke u përgatitur për pjesëmarrje në festivalet ndërkombëtare për kitarë që mbahen jashtë Kosovës, ku shpresoj se do të arrijë të shënojë sukseset e radhës. Synimi im është që një ditë të interpretoj me kitarë në sallat e mëdha të muzikës klasike në botë”, është shprehur Ledion Halitaj ditë më parë për “Fol Drejt”.
Prapa sukseseve të tij qëndron profesori Erhan Mujka. Kitaristi Mujka, para se Ledioni të merret çmimin, kishte thënë që Ledioni është një talent që premton shumë në të ardhmen”.
“Ledioni është njëri nga ata pishtarët që po e çon procesin përpara. Besoj që Ledioni do të vazhdoj edhe më tutje me këtë art sepse ka talent të jashtëzakonshëm, është punëtor dhe ka mbeshtetje sikurse nga ana e familjes, gjithashtu edhe nga ana ime si profesor”.
Shpesh ajo që nuk përçohet tek publiku me tinguj fjalësh, bëhet përmes notave me anë të instrumenteve muzikore. Ledioni me taletin e tij për kitarën ëndërron të sjellë emocione për njerëzit që janë të pasionuar pas kitarës. Si kitarist në zhvillim, Ledioni pritet t’i bëj dritë imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Halitaj i ndjekë mësimet për kitarë në shkollën e artit, muzikës dhe baletit “Beethoven” në Prishtinë.