Ledion Halitaj, është djaloshi që po lë gjurmë si kitarist që në moshën e vegjëlisë. Ledioni është vetëm 11 vjeçar, por brenda një periudhe dy vjeçare ka arritur të grumbulloj më shumë se 15 çmime ndërkombëtare si kitarist në rrafshin vendor e ndërkombëtar. Këtë vit, Ledioni e gjenë veten në mesin e pesë më të mirëve për çmimin “Europiani i Vitit”, që jepet nga zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë.
Shkruan: Gëzim Olluri – Fol Drejt
Në moshën 9-vjeçare, kitaristi Ledion Halitaj, arriti çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të kitarës në Transilvani të Rumanisë. Në radhë, djaloshi i artë vazhdoi me çmime të tjera, duke arritur që në kabinetin e tij të radhisë më shumë se 15 çmime. Halitaj ka tri vite që luan me kitarë dhe e ardhmja e tij pritet të jetë e ndritur. Ai i vijon mësimet për kitarë në shkollën e muzikës, artit dhe baletit “Beethoven” në Prishtinë.
Shpesh ajo që nuk përçohet tek publiku me tinguj fjalësh, bëhet përmes notave me anë të instrumenteve muzikore. Ledioni me taletin e tij për kitarën ëndërron të sjellë emocione për njerëzit që janë të pasionuar pas kitarës. Si kitarist në zhvillim, Ledioni pritet t’i bëj dritë imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ndihem i lumtur që jam në mesin e pesë personaliteteve të njohura në vend të nominuar për çmimin “Europiani i Vitit”. Ky nominim më motivon që të punojë edhe më shumë në të ardhmen. Aktualisht jam duke u përgatitur për pjesëmarrje në festivalet ndërkombëtare për kitarë që mbahen jashtë Kosovës, ku shpresoj se do të arrijë të shënojë sukseset e radhës. Synimi im është që një ditë të interpretoj me kitarë në sallat e mëdha të muzikës klasike në botë”, shprehet Ledioni.
“Fol Drejt” ka zhvilluar edhe një intervistë me profesorin që e mëson Ledionin, Erhan Mujka, i cili me nxënësit e tij, po i prinë artit me punë e përkushtim që Kosovës t’i sjellin suksese e imazh të bukur në arenën vendore, rajonale e ndërkombëtare. Ndër të tjera, sipas profesorit, Ledioni shihet si një talent që premton shumë për të ardhmen.
“Ledioni ka arritur më shumë se 15 çmime ndërkombëtare dhe ka filluar shumë herët të merr pjesë në festivale vendore e ndërkombëtare. Me të ka kohë që kemi punuar dhe çmimin e parë online e ka arritur në Transilvani të Rumanisë. Rrugëtimi i tij ka filluar në gara prestigjioze në rrafshin ndërkombëtar. Besoj që Ledioni është një talent i konsiderueshëm për të ardhmen”, thotë profesori Mujka.
I pyetur rreth mbështetjes që e ofrojnë institucionet shtetërore, Mujka thotë që deri tash nuk ka pasë ndihmë konkrete, përveç premtimeve që i kanë marrë nga Ministria e Arsimit. “Deri tash nuk kemi pasë mbështetje. Nga Ministria e Arsimit na kanë premtuar që në të ardhmen kur të marrim pjesë në gara dhe festivale, do të na mbështesin. E tash mbetet të shihet nëse fjalët do t’i kthejnë në vepra”.
Profesori Mujka përveç mësimeve që i jep Ledionit, ka edhe një grup nxënësish me të cilët në garat ndërkombëtare i kanë arritur më shumë se 110 diploma. “Kemi nxënës në Mitrovicë e Prishtinë shumë premtues e të cilët kanë marrë pjesë në festivale të ndryshme në Turki, Bullgari dhe Zagreb të Kroacisë. Kemi fituar çmime të vendeve të para dhe të dyta, më i vogli çmim ka qenë vendi i tretë. Në sirtar kemi arritur t’i radhisim më shumë se 110 diploma”.
Për kitaristin Mujka, Ledioni është një talent potencial për të ardhmen e që aktualisht po e trason rrugë suksesi me kitarën e tij. “Ledioni është njëri nga ata pishtarët që po e çon procesin përpara. Besoj që Ledioni do të vazhdoj edhe më tutje me këtë art sepse ka talent të jashtëzakonshëm, është punëtor dhe ka mbeshtetje sikurse nga ana e familjes, gjithashtu edhe nga ana ime si profesor”, shton Mujka që aktualisht po angazhohet të sjellë suksese në fushën e artit”.
Nga ana tjetër, procesi i aplikimit për viza është duke ua vështirësuar tejmase pjesëmarrjen e kitaristëve kosovarë në garat ndërkombëtare: “Gjithsesi po kemi shumë probleme me vizat sepse po duhen aplikime, pritje e procedura të zakonshme. Vetëm dy herë na janë përshpejtuar pritjet. Një herë në Bullgari, si një herë në Kroaci, ku na ka ndihmuar deputetja, Ermina Lekaj Prljaskaj”.
Një problem tjetër për kitaristët është mungesa e literaturës dhe librave fizikë në tregun librar të Kosovë. “Puna e internetit na ka lehtësu punën shumë për me ba shkëmbime me kompozitorë të ndryshëm nga bota. Shumë pak kemi libra e literaturë fizike, së paku librin origjinal të një kompozitori të njohur është vështirë ta gjesh. Unë jam i pasionuar pas librit fizik. Në Kosovë nuk kemi Bookshop që shet literaturë te muzikës ose që përmban muzikë në të. Rrallë here gjejmë diçka konkrete e në të shumten e rasteve gjëjmë libra në shtetet e tjera kur jemi pjesëmarrës”, shton profesori i kitarës.
Në Mitrovicë, falë organizatës joqeveritare “KosovaArs” që e drejton profesori Mujka, organizohen festivale të ndryshme të kitarës, e përmes të cilave në Mitrovicë kanë zbarkuar kompozitorë të njohur nga arti botëror. “Në Mitrovicë e organizojmë një festival të Kitarës që quhet “Mitrovica Guitar Days”, e që ka marrë përmasa ndërkombëtare. Kemi arritur me i ftu kitaristët më të njohur nga bota. Këtë vit do të kemi prapë emra të tjerë të njohur. Ne po mundohemi që me forcat tona me ndërkombëtarizu artin dhe kulturën në Mitrovicë dhe mbarë Kosovën”.
Për fund, profesori i kitarës ka një këshillë për të rinjtë: Mendoj që arti dhe sporti janë ambasadorët kryesor të një shteti dhe ju bëjë thirrje të rinjve të Kosovës te merren me shumë me këto dy fusha e të qëndrojnë më larg politikës”.