Bashkimi Evropian (BE) ka deklaruar se sanksionet ndaj qymyrit rus nuk do të pengojnë dërgesat e qymyrit nga Rusia në vendet e treta.
Direktiva e mëparshme e Komisionit Evropian nuk i lejonte kompanitë evropiane të marrin pjesë në dërgimin e produkteve të tilla si qymyri nga Rusia në vendet jashtë BE-së, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
BE-ja konfirmoi se direktiva e re do të lejojë kompanitë evropiane të transportojnë qymyr nga Rusia në vende të tjera, ndërkohë që mund të ofrohen shërbime të tilla si financimi dhe sigurimi.
Direktiva e re po ashtu parashikon se sanksionet e BE-së nuk do të prekin sigurinë ushqimore dhe energjetike të vendeve të tjera.
Rrjedhimisht, transferimi i mallrave në listën e mëparshme të sanksioneve, si plehrat, ushqimi për kafshët, druri, çimentoja dhe qymyri, tani lejohet në vendet e treta.
BE-ja miratoi paketën e pestë të sanksioneve në muajin prill, duke ndaluar blerjen, importin ose dërgimin e qymyrit nga Rusia. Paketa e sanksioneve hyri në fuqi në muajin gusht pas përfundimit të periudhës së tranzicionit./FolDrejt/