Komuna e Junikut ka mbajtur dëgjim publik me qytetarët e saj për projektin e autostradës së Dukagjinit, e cila lidh dhe kalon nëpër pesë komuna, Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren.
Në këtë dëgjim mori pjesë edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se kjo autostradë do të ketë ndikim pozitiv për qytetarët që do ta shfrytëzojnë atë.
“Nuk ka ndjenjë më të veçantë kur ne projektojmë bashkërisht projekte me qytetarët dhe qytetarët janë pjesë e projektit që ka ndikim pozitiv edhe në qasjen e tyre edhe në shkurtimin e kohës edhe në zhvillim ekonomik”.
“Edhe ne si Qeveri e Kosovës në këtë rast si MI jemi nderu që sot na jepet mundësia ta prezantojmë projektin më madhor apo autostradën e Dukagjinit, e cila është e gjatë 91-93 km dhe përshkon komuna nga Istogu, Peja, Deçani, Gjakova, Prizreni dhe lidh korridoret që quhen pan evropiane”, tha Lekaj, raporton EO.
Nga ana e tij, kryetari i Junikut, Agron Kuçi, tha se ky projekt zë vendin më të rëndësishëm për komunën që udhëheqë, sa i përket zhvillimit ekonomik që do të ketë dhe lidhjen me qendrat e tjera të mëdha.