Shkruan: Bledar S. Milaqi
Gjatë 30-viteve të fundit në ligjërimin publik është stërdëgjuar ideja, se Shqipëria është qëndra e ideve politike për hapësirën Shqiptare. Ndërkohë që realiteti aktual flet të kundërtën:
– Në dallim nga Shqipëria, ku opozita është inekzistente dhe i gjithe diskuri politik është shou teatral, në Kosovë Vetëvendosja luajti rol aktiv si forcë opozitare e mirëfilltë për të arritur deri në ditën e sotme.
– Në dallim nga Shqipëria, ku fushatat elektorale karakterizohen nga personalizimet dhe gjuha vulgare e ku çdo partie i mungon faktikisht nje program i mirëfilltë politik, në Kosovë falë dhe prurjeve serioze të Vetëvendosjes, fushata elektrorale ishte tejet programatike.
– Në dallim nga Shqipëria, ku nëntoka / krimi i organizuar është ulur këmbëkryq dhe tashmë prej më se një legjislature përfaqësohet zyrtarisht në Parlament, në Kosovë e vetmja parti, e cila u përfol për elementë me të kaluar të dyshimtë u ndëshkua sot me votë.
– Në dallim nga Shqipëria ku vota e Diasporës ende nuk është e drejtë e sanksionuar me ligj, Kosova megjithë vështirësitë fillestare, u mundësoi një pjese të konsiderueshme të Diasporës ta shkundin votën për kandidatët e tyre dhe madje vota e tyre të jetë vendimtare për fituesin zyrtar të zgjedhjeve aktuale.
– Në dallim nga Shqipëria, ku diskutohet ende shitja e votës për një thes miell, Shqiptarët e Kosovës morën rrugën nga jashtë për të kryer obligimin e tyre qytetar ndaj vendlindjes.
– Në dallim nga Shqipëria, ku pas votimeve, të gjithë krerët e partive politike shprehen fitues, në Kosovë deklaratat e krerëve politikë janë në respekt të rezultatit final nga KQZ.
– Kosova sot i dha leksion qytetar Shqipërisë sesi shporret kasta e vjetër politike dhe tregoi se pjekuria politike nuk buron nga vitet e shtetbërjes.