Kuvendi i Kosovës po mban sot seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor.
Nga ana e pozitës foli deputeti, Ardian Gola, i cili u shpreh me lëvdata për punën dyvjeçare të qeverisë, duke përmendur në veçanti organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Por puna dyvjeçare e Qeverisë Kurti II nuk u pa aspak e suksesshme opozita, në theks të veçantë në raportet ndërkombëtare.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri e quajti këtë qeveri si “anemike”, shkruan Fol drejt.
“Për këto tri vite qeverisje anemike, nuk arritëm asnjëherë të shënojmë momente suksesi e progresi të qeverisjes në vend. Ne jemi kundërshtarë politikë, por ia duam suksesin këtij vendi dhe do të donim që për këto vite të kishim pasur sado pak progres në zhvillimin ekonomik, do të donim të diskutonim për zhvillimet në shëndetësi, infrastrukturë e rritjen e mirëqenies për qytetarët”, u shpreh ai.
Përveç reagimeve nga opozita, pati reagim edhe nga ish-deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, i cili e përmendi situatën me raportet ndërkombëtare dhe ato me Shqipërinë. Ai tha se siatuata nuk ka qenë asnjëherë më keq.
Ai përmendi edhe rolin e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla duke thënë që ajo nuk e njeh as flamurin e shtetit të saj.
“Asnjë njohje ndërkombëtare. Për turp është paraqitja jonë në mardhënie ndërkombëtare. U çu krejt populli e kritikojke Rita Orën që e ka përdor ni flamur, ministrja jonë e jashtme i ka gabu flamura”, u shpreh ai.
Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk la pa kritikuar qeverinë. Ai kërkoi përkrahje në mënyrë që të shkarkohet Qeveria Kurti.
“Ne duhet t’i marrim përgjegjësitë. Ta ndihmojmë Kosovën me mocion. Ta shkarkojmë Qeverinë Kurti. Nëse ne heshtim në ketë situatë në vazhdimësi po bëhemi pjesëmarrës të përkeqësimit të gjendjes”, u shpreh Haradinaj.
Kuvendi i Kosovës përveç kësaj seance pritet që gjithashtu të mbajë edhe një seancë të jashtëzakonshme në orën 14:00, të thirrur nga opozita.
/FolDrejt/