(“Eleonora”, “Lenorë”, “Anabel Li” dhe “Korbi”)
Konceptimi i veprës letrare si derivim i psikologjisë së ndrydhur të autorit është fushë e veçantë e eksplikimeve letrare që interferohet me shfaqjen e psikanalizës si zgjatim i studimeve paraprake pozitiviste, në deceniet e para të shek.XX. Psikanaliza si metodë studimi është e prirë që ta sheh veprën letrare si gjurmë që çon në subkoshiencën e autorit, pra te ajo pjesë e mendjes për të cilën njeriu nuk është i vetëdijshëm, por që ndikon drejtpërdrejt në ndjenjat dhe veprimet e qenies së tij.
Shkrimtari i mirënjohur amerikan, Edgar Allan Poe, me shkrimet e tij prozë e poezi ku dominon ndërfutja psikologjike e personazhit alterego, materiali letrar si derivim i materialit jetësor intim dhe shtresimi simbolik ambiental, ka provuar për mundësinë e shtrirjes së gjerë të studimeve psikanalitike në terrenin e shkrimtarit gjeni që kamuflon un-in e tij implicisht në vepër.
Në biografitë letrare, Poe përmendet për jetën e tij plot kataklizma në sferën e përjetimit të erosit dhe identitetit të tij si shkrimtar. E para lind si kultivim i ndjenjës intime brenda familjes, meqë Poe martohet me kushërirën e tij Virxhinia, kur kjo ishte vetëm 13-vjeç, ndërsa vetë ai afër të tridhjetave, teksa, portreti i tij si shkrimtar rëndom derivon si psikë e një individi depresiv, të alkoolizuar, lunatik e jo njëherë të etiketuar si i çmendur. Virxhinia do parë si një Lilitë për Poen, ndaj të cilës ai ndjen pushtetin e erosit dhe humbjes/tanatosit, si paralele përjashtuese, por fundamentale për të zbërthyer psikologjinë e materializuar në tregimin e shkurtër “Eleonora”, dhe poemat “Lenorë”, Anabel Li dhe “Korbi”.
1.Shtresimi identitar i humbjes
Poe spikatet si autor i tematikave melankolike, si inciator i zhanrit horror, pra autor i krajatave e tmerrit, që prezanton para lexuesit një botë që tingëllon sa fantastike, aq edhe brutalisht reale, e afërt dhe e frikshme. Ajo çka përbashkon katër krijimet e lartpërmendura të Poes, është tema e tanatosit që lidhet implicisht me figurën e Virxhinias e cila vdes në moshë të re për shkak të sëmundjes së tuberkulozit. Lenora, Eleonora dhe Anabel Li nuk janë tjetër veçse silueta të ndryshme të një personi, Virxhinias së Poes, ndërsa narraratori karakter dhe subjekti lirik- i dashuri që vuan largimin e të dashurës në amshim është alterego e vetë Poes, i cili ballafaqohet me frikën e humbjes si psikologji, dhe një ndjenjë shfajësimi për tragjicitetin e Virxhinias.
Në kohën kur Virxhinia ishte e sëmurë, Poe u përfshi në dy afera skandaloze, ani pse njëra prej tyre del si dashuri platonike e një vajze për Poen, e cila i shkaktoi mjaft dëme duke e përbaltur figurën e Poes e çuar drejt etiketimit si i çmendur: poetja, Elizabeth F. Ellet, ndërsa tjera si një flirtim midis Poes dhe një vizitoreje të shpeshtë në shtëpinë e tij dhe Virxhinias: poetes Frances Sargent Osgood. Në një rast thuhet se Virxhinia në prag të vdekjes, e ka quajtut Elletin vrasëse të saj.
Vështruar nga ky prizëm, vitet e fundit të jetës së Virxhinias dhe Poes, reflektojnë portretin e një jete plot kolapsesh emocionle, me skandalet e jetës erotike të Poes dhe materiale me gjendjen e dobët financiare po të tij, si i alkoolizuar dhe shkrimtar me pak të ardhura. Këto dy pole të jetës së Poes në tregimin Lenorë, dhe të tri poemat, transformohen për ta reflektuar psikologjinë e humbjes në qenien e Poes. Poe do ta derivojë gjithë marrëdhënien me Virgjinian si diçka idilike, larg çdo mishërimi tokësor, ajo do t’i tingëllojë lexuesit aq parajsore, dhe e ëndërrueshme, sa vdekja në këtë mes do të luajë rolin e shtrigës në përralla, që prish harmoninë, dhe për rrjedhojë bëhet shkaktare e nisjes së një sërë peripecive e kjo për Poen është përballje me un-in dhe frikat e tij.
Në tregimin “Eleonora”, narraotori karakter, alterego e Poes përballet me frikën e humbjes së të dashurës, meqë ikja e saj në fille barazohet me zvetënimin e ngjyrave të jetës. Viti 1842, kur Poe boton këtë tregim është viti kur edhe shfaqen shenjat e para të sëmundjes së Virxhinias, është pra ndeshja e parë e tij me frikën e humbjes, çka në tregim reflektohet përmes pamjes së Arktidës që merr përshkrimi i jetës erotike me të. Narratori jep gjithë fazat e përndezjes së kontaktit të tyre deri në lindjen e ndjenjës intime përmes transformimit të ngjyrave të luleve të ambientit idilik: Lugina e Barit Shumëngjyrësh u mbush me lule në formë ylli, lule të kuqe rubin e lumi me peshq të artë e të argjendtë. Ylli del si simbolikë e universit që merr pjesë në partiturën e erosit, e kuqja si ngjyrë e pasionit me të cilin zë fill lidhja e tyre, ndërsa peshqit e artë e argjendtë si simbol i bollëkut e lumturisë, që sjell dashuria në jetën e tyre.
Jeta me të jepet ri reminishencë e narratorit për një kohë të largët, për pjesën e parë të jetës së hershme të tij: Ajo që dashurova në rini, për të cilin po i shkruaj tani me qetësi dhe qartësi këto kujtime, ishte vajza e vetme e motrës së nënës sime, të vdekur prej kohësh. Eleonora ishte emri i kushërirës time. (fq.64). Në këtë pasazh ndihet eksplicisht prezenca e biografemave të jetës intime të Poes. Përdorimi i emrit Eleonorë, që bart domethënien e “dritës ndriçuese” i shërben tendencës së autorit për ta glorifikuar me ngjyrime eterike Virxhinian dhe jetën me të, gjë që haset edhe në poemat e tjera (ajo rri krahë engjëjve, Zotit në Parajsë).
Tregimi “Eleonora” dhe poema “Anabel Li” kanë një sinposis të përafërt meqë fokusohen në dhënien e intensitetit të përjetimit të ndjenjës në një ambient idilik, frikën e Poes për humbjen, realizimin e tanatosit në një anë dhe revoltën ndaj fatit tragjik të Virxhinias, gjë që ndihet veçmas në poemën për Anabel Li-n (botuar dy vjet pas vdekjes së Virxhinias, më 1849):
Pa lumni si tonën, engjëjt n’eden
Na e morën të dyve zili –
Po! – aty zuni fill gjithçka (qysh bota e di
N’ këtë mbretëri pranë detit shtri)
Që stuhia prej reje zbriti atë natë,
E ma ngriu ma vrau të ngratën Anabel Li. (v.21-26).
Poemat “Lenorë” dhe “Korbi” nga ana tjetër shtresojnë gjendjen emocionale pas vdekjes së të dashurës së tij. Fakti se të dyja janë shkruar para vdekjes së Virxhinias, provon frikën që fshehet brenda subkoshiencës së Poes, për melankolinë që do të shkaktojë mungesa e saj. Ani pse ato duken sforcuar si revoltë për vdekjen e të dashurës, në vija të holla ato janë revoltë e një shpirti i cili ka frikë të mbesë vetëm, i mësuar me dashurinë e pasionin e Virxhinias, ikja e saj sikur premton mjerimin shpirtëror për Poen, prandaj shkrimi i këtyre poemave janë një tendencë e Poes për ta ambientuar veten me idenë e ikjes së saj, me vetminë që do të sjellë realizimi i tanatosit:
Dhe korbi kurrë nuk iku prej aty, ende rri, po, ende rri…
Dhe drita e llambës ia derdh hijen mbi dysheme, hijen hata
Dhe shpirti im jashtë asaj hije, që këtu poshtë mbi mue ra,
Nuk do të ngrihet kurrë mâ! (v.103, 105-108)
Subjetin lirik e narratorin karakter e veçon ndjenja deri në palcë e dramës së braktisjes, prandaj edhe nuk kursehet reprezentimi parajsor i jetës me Eleonorën, Anabel Li-n e Lenorën, për ta theksuar kështu më tepër frikën që shkakton ikja e erosit nga jeta e njeriut. Tregimi “Eleonora” materializon me një theks të veçantë vënien e njeriut në kërkim aktiv të së bukurës e cila reprezantohet në femra të ndryshme, por si një un i vetëm i erosit. Narratori karakter ani pse i ka premtuar besnikëri të përjetshme Eleonorës, nuk i reziston bukurisë e pasionit që ngjall në të Ermengarda (gjerman. ermen-e tërë, universale, gard-mbrojtje) dhe (Poe) shfajëson veten për ndjesitë e tilla “tradhtare” duke ia atribuar erosit pushtetin tejnjerëzor dhe ofruar Eleonorën si një të shenjtë që ia çmon ndjenjën dhe e ruan si engjëll mbrojtës: Shpirti i Dashurisë mbretëron e sundon dhe, duke mbajtur në gjirin tënd plot pasion atë që është Ermengarda, ti u fale, për arsye që ty do të të bëhen të njohura në Qiell, për betimet e tua ndaj Eleonorës.(fq.70)
Fundi i tregimit shfaq dëshirën e ndrydhun të Poes për përjetimin seksual të dashurisë, çka i pamundësohet me Virxhinian e sëmurë të cilën e dashuron midis tjerash në nivel shpirtëror. Pra, zbrazëtia që shfaqet si atribut i narratorit karakter në pjesën e dytë përveçse si derivim i vetmisë shpirtërore është edhe derivim i vetmisë fizike, pra nevojës për kontaktin fizik, plotësimin e jetës së tij erotike.
Humbja, braktisja dhe vetmia që artikulohen si ndjenja që gjenerojnë psikologjinë e subjektit folës te “Eleonora” dhe poemat “Lenorë”, “Anabel Li” e “Korbi” janë ndjenja të shtresuara që i takojnë fazës orale e infantile të Poes, kur si foshnje braktiset nga i ati, dhe humb po nënën nga tuberkulozi, duke provuar kështu për rrjedhojë si fëmijë gjendjen klaustrofobike të mungesës së prindërve, dhe intimitetit me të ëmën. Prezenca e tanatosit shfaq ndjenjën e vetmisë si shtresim të hershëm të Poes në subkoshiencën e tij, që e frikëson dhe stimulon një revoltë, një rezistencë ndaj braktisjes që merr formë në fundin e tregimit “Eleonora”, ku zgjatet erosi si shpëtim dhe njëkohësisht një nënshtrim, kthim i Poes në un-in e tij, braktisja e vetmia si ndjenjë e hershme e kultivuar që shenjohen me fundin e “Korbit”.
2.Impakti emotiv i femrës
Ajo ishte krijuar e përsosur në bukuri vetëm për të vdekur, si kredo që haset në tregimin “Eleonorë” është korrespodente për glorifikimin e bukurisë së jashtme dhe të brendshme të femrës që bëhet edhe në tri poemat e tjera. Femra në poemën e Poes merr simbolikën e të shenjtit me spikamën që i vihet virgjinitetit shpirtëror, pafajësisë e padjallëzisë së saj. Lidhja e narratorit karakter me Eleonorën, implicisht lidhja e Poes me Virxhinian, do parë si diçka që rrjedh nga idi i Poes, instiktet e pakontrollueshme, iracionale në thelb ndaj të cilave ai është i pavetëdijshëm, tërheqja fizike nga ana e nënës, si dashuri e papërmbushur në fëmijërinë e tij që nxjerr krye me diçka që është reprezentative e un-it trashëgues të nënës së tij- e bija e së motrës: Ajo që dashurova në rini, për të cilin po i shkruaj tani me qetësi dhe qartësi këto kujtime, ishte vajza e vetme e motrës së nënës sime, të vdekur prej kohësh.
Pra, tërheqja fizike ndaj kushërirës së tij është diçka e pakontrollueshme, që gjenerohet nga instiktet e tij të brendshme për ta kultivuar ndjenjën intime me tjetrin e afërt, siluetë e së ëmës. Dashuria amësore e mbetur peng sikur stimulon një Poe që kërkon intimitetin me vajzën që është në thelb fëmijërore, e brishtë, e çlitër, si përgjigje ndaj gjithë gotikës jetësore të tij me mungesën e braktisjen. Femra në jetën e Poes shfaqet si shpresë që intensifikon komunikimin me un-in e tij duke e bartur në sfera të ekzaltimit shpirtëror e fizik, duke e plotësuar si qenie:, siç provon pasazhi te tregimi “Eleonora”: Ne e kishim tërhequr zotin Eros nga ajo dallgë dhe tani ndiem se ai kishte ndezur brenda nesh shpirtrat e zjarrtë të stërgjyshërve tanë. (fq.66).
Pastërtia me të cilën spikatet portreti i femrës, e që në vija të holla është sinjifikim i shpresës dhe lumturisë që vjen me erosin, është përplasje ndaj dualitetetit që prodhon shfaqja e tanatosit, që manifestohet me elementete diversive të deskripcionit dramatik (me tabllotë pompoze të funeralit, himnet e ngritjen e shpirtit të Lenorës në qiell), ekspresionist (tranzicioni ambiental te tregimi “’Eleonora” dhe “Anabel Li”) e gotik (nata, korbi, errësira, ngjyra e kuqe, perdet e purpurta, heshtja, krrokatja, fantazmat e fryma mistike te “Korbi”).
Femra në këto krijime të Poes është objekt pasiv ndaj të cilës këndohen himne erosi e melankolie. Pushteti i saj, në thelb si reprezentim i erosit, ndjehet përmes tanatosit, si indicie që intensifikon përjetimin e bukurisë së ndjenjës me tjetrën. Glorifikimi i Eleonorës, Lenorës e Anabel Li-s në sfera të larta të vitytit, gjithashtu e amplifikon përjetimin e tragjicitetit të saj, i shërben realizimit të katarsisit. Nga subkoshienca e Poes femra derivon si etnitet i veçantë që i siguron plotësimin identitar, prandaj edhe dramatizohet frika graduale e tij për zhdukjen e saj (erosit), në katër krijimet e shkruara në periudha të ndryshme; “Eleonora” (1842), “Lenorë” (1843), “Korbi” (1845) dhe “Anabel Li” (1849):
Këtij shpirti të brengosun a po i rrëfen, a do të mundem atje n’Eden
Vajzën e shejtë, që engjujt Lenorë i thonë, me e kapë në krah;
T’rrallën rrezore që engjujt i thonë Lenorë, me e kapë në krah?”.
Krrokati korbi: “Kurrë ma”.(“Korbi”, v.93-96)
-Vepra e Poes është tabllo e gjerë e një jete me kataklizma në të cilën dendësohet përjetimi psikologjik i tij, për t’u përballur me frikat, për ta rivendosë harmoninë, për ta shmangur/ plotësuar mungesën, për t’iu kundërvënë tanatosit. Lufta e brendshme e Poes në këtë përballje reflekton një subjekt lirik impulsiv që revoltohet ndaj fatit duke risjellë e ripërjetësuar modele të dashurisë së pastërt ideale që gjen forma të mbijetesës përmes kujtimeve, inkarnimit, e shenjtërimit të Virxhinias me Eleonorën, Lenorën e Anabel Li-n.
Leonora Hajra