Kryeministri Kovaçevski tha se ky është një moment i rëndësishëm sepse mbi të gjitha qytetarët do të mund të komunikojnë shpejt me institucionet në situata kur kanë nevojë urgjente.
Qytetarët nga sot duke thirrur numrin evropian të emergjencës 112, brenda afatit më të shpejtë do t’i marrin shërbimet e policisë, emergjencës mjekësore apo zjarrfikësve, shkruan AA.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ambasadori i Bashkimit Evropian, David Geer dhe drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angelov sot zyrtarisht lëshuan në përdorim numrin e urgjencës 112.
Me këtë rast, Kovaçevski tha se ky është një moment i rëndësishëm sepse mbi të gjitha qytetarët do të mund të komunikojnë shpejt me institucionet në situata kur kanë nevojë urgjente.
“Lëshimi i numrit 112 është një tjetër hap përpara në zbatimin e standardeve evropiane. Sistemi i reagimit emergjent do të jetë një lehtësim i vërtetë për qytetarët sepse në raste urgjente lidh shërbimin emergjent mjekësor, njësitë zjarrfikëse dhe shërbimet tjera emergjente të aksidenteve të ndryshme”, tha Kovaçevski.
Sistemi, siç tha kryeministri Kovaçevski, sipas standardeve më të larta evropiane, përfshin të gjitha shërbimet për ndihmë emergjente dhe ndihmën policore për zbatimin e ligjit, duke ofruar trafik të rregullt dhe shërbime komunale, transmeton Fol Drejt.
Ambasadori i BE-së, David Geer tha se ishte shumë i lumtur që po merrte pjesë në lëshimin e numrit evropian të urgjencës 112, duke thënë se ky është një numër që shpëton jetë.
“Në këtë datë simbolike 11.02, shteti me ndihmën evropiane iu bashkua vendeve evropiane në përdorimin e këtij numri. Bukuria është në thjeshtësi. Duke telefonuar 112 ju mund të merrni të gjitha shërbimet që ju nevojiten në rast urgjence. 112 është një numër i lehtë për t’u mbajtur mend dhe për të thirrur në rast urgjence. 112 është numri që shpëton jetë”, tha ambasadori Geer.
Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Angelov tha se Maqedonia e Veriut sot bëhet pjesë e familjes evropiane me numrin 112.
Me lëshimin e sotëm të numrit, ndihma mund të merret vetëm duke thirrur 112, në vend të katër numrave të emergjencës 192 Policia, 193 Zjarrfikësi, 194 Ambulanca dhe 195 Qendra e Menaxhimit të Krizave (QKM).
Pasi të telefononi 112, telefonata do të ridrejtohet përmes sistemit drejt asaj që i dedikohet.
Numri Evropian i Thirrjeve Emergjente është krijuar me ndryshimet në Ligjin për Menaxhimin e Krizave./FolDrejt/