Andrey Kovatchev, politikani bullgar, anëtar i Parlamentit Evropian, ka bërë të ditur se ai, bashkë me 41 anëtarë të tjerë të Parlamentit Evropian, i kanë bërë thirrje presidentit francez dhe kryeministrit të Holandës, për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Siç ka bërë të ditur Kovatchev, në kërkesën dërguar presidentit Emmanuel Macron dhe Mark Rutte thuhet se kanë kaluar dy vjet kur Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret teknike.
Në këtë drejtim, është kërkuar që heqja e vizave për qytetarët e Kosovës të bëhet deri në fund të vitit 2020.
“Së bashku me 41 eurodeputetët, unë bashkë-nënshkrova dy letra – presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrit të Holandës, me kërkesën për heqjen e vizave për qytetarët deri në fund të vitit 2020. Kanë kaluar dy vjet që kur Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret teknike. Vetëm kështu BE-ja mund të jetë një ndërmjetës i drejtë!”, ka shkruar Kovatchev në Twitter.
Ai ka publikuar edhe letrat e dërguara dy udhëheqësve evropianë, letra ku figurojnë edhe emrat e 42 eurodeputetëve.
Letra është bërë publike pikërisht në ditën kur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar në Paris me presidentin Emmanuel Macron, dhe kur pritet rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë më 12 korrik në Bruksel.