Kjo Letër Publike nga ana ime si qytetar i Republikës së Kosovës kërkon përgjegjësi për papërgjegjësinë e akademikëve që veprojnë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK). Mbase, brenda kësaj letre kërkojnë përgjegjësi edhe shumë zëra përmes meje pasi ta lexojnë domethënien e saj. Besoj jeni në dijeni për peshën, rëndësinë dhe përgjegjësinë që Akademia e Shkencave ka dhe duhet të ketë për interesat shtetërore dhe kombëtare. Për rëndësinë mes së kaluarës dhe së ardhmes.

Nga Gëzim Olluri
Le të kalojmë konkretisht në çështjen për çfarë bëhet fjalë. Siç e dini, edhe ju foleja e gjenive, çdo rrugë a rrugicë, fshat a qytet, shtëpi a oborr, shkollë a bibliotekë, e veçmas, çdo njeri, ka një rrëfim të dhimbshëm për të kaluarën. Andaj, ju si akademikë, nuk mund të jeni aq naivë, symbyllur dhe të pandjeshëm për dhimbjen tonë nga kohërat e luftërave. Ngase, ju dini të jeni edhe relativizues kur bëhet fjalë për të kaluarën kriminale të Serbisë. Rasti në fjalë është rast konkret.
Me këtë rast i bëhet me dije edhe publikut se çka është në gjendje të bëjë penda e akademisë dhe çfarë dëme i sjellin vendit figurat e papërgjegjshme dhe me vetëdije të ulët kombëtare kur marrin përsipër detyra shtetërore e i anashkalojnë. Ju jeni fort të vetëdijshëm për qëllimet dhe veprimet tuaja kur i ideoni, planifikoni dhe i publikoni. Do të doja t’iu them që e bëni nga pavetëdija, por jo, fatkeqësisht gjërat i bëni me vetëdije të plotë dhe në mënyrë të tmerrshme.
Në vitin 2018, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), u botua Fjalori Enciklopedik i Kosovës. Shkëlqyeshëm! Punë e madhe nga kokat më intelektuale të shtetit. Njëherësh në pasqyrën zyrtare të Akademisë së Shkencave për botimin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës shkruan: “Projekti më i madh dhe më i rëndësishëm nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, vepra e parë enciklopedike e botuar në Kosovë”.
Vetëm respekt për mundin tuaj! Mirëpo, në vëllimin e parë në faqen 864 flitet edhe për Slobodan Kostićin. Ju z. Mehmet Kraja jeni kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës në atë botim. Rrjedhimisht, keni përgjegjësi të plotë para publikut po aq sa ka Akademia e Shkencave dhe disa nga akademikët e tjerë. Ju jeni njerëz dhe mund të gaboni. E kuptueshme. Deri këtu jemi në rregull. Ama, në rastin tuaj nuk kemi të bëjmë me gabim. Kemi të bëjmë me planifikim të orkestruar nga ana juaj që në zanafillë do zbërthim të hollësishëm. Sidoqoftë, nuk do të stacionohem tek hollësitë sepse shkrimi mbështetet në fakte, argumente, dëshmi dhe të vërteta.
Slobodan Kostići ka qenë ish-drejtor ilegal dhe i dhunshëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për gjashtë vjet, nga viti 1990 deri në vitin 1996. Kur them ilegal, është ilegal sepse është zgjedhur nga institucionet ilegale gjatë kohës kur jemi përballë me okupim, ndërsa kur them i dhunshëm, bazohem në veprat dhe veprimet e tij. Ndërsa, ju në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës e prezantoni si poet. Pa ia cekur askund të bëmat e tij kundër trashëgimisë kulturore shqiptare, kundër librit shqip, kundër bibliotekave shqipe dhe kundër gjuhës shqipe.
Nga ana tjetër, nga ana e akademisë saktësohet edhe ky informim: “Botimi do të shpërndahet në të gjitha institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, në bibliotekat dhe redaksitë e mjeteve të informimit, në mënyrë që informacioni dhe të dhënat për përdorim në Kosovën dhe botën shqiptare të dalin më të plota dhe më të sakta”. Shumë të plota dhe të sakta. Të plota dhe të sakta ku të dhënat e rastit në fjalë nuk përkojnë askund me fakte dhe vërtetësi. Duke mos arritur ta shtrembëroni të vërtetën e Kostićit, e keni rrafshuar krejtësisht.
Kostiči nuk kishte vetëm të bëma, ai është njëri nga kriminelët përgjegjës që zbatoi urdhërat e aparatit shtetëror serb nga Beogradi për të kryer gjenocid kulturor në Kosovë e kundër gjithçkaje shqipe. Çdokush është në rregull përderisa nuk ka të kaluar kriminale e gjakatare dhe që nuk është pjesëmarrës a mbështetës direkt a tërthorazi në organizimin e gjenocidit dhe kulturocidit kundër një populli tjetër. Rrjedhimisht, secili individ në këtë botë mbanë përgjegjësi individuale, duke kaluar pastaj tek përgjegjësia kolektive. Ama, Kostići, mori përgjegjësi ta fillonte dhe ta zbatonte kulturocidin kundër librit e bibliotekave shqipe në mënyrë brutale përmes një strategjie të planifikuar në Beograd, qytet jashtë, shumë jashtë Republikës së Kosovës.
Në periudhën 1990-1996, Kostići luftoi kundër gjuhës të cilën ju e flisni dhe e shkruani. Ua zhduku dhe shkatërroi abetaren nga e cila ju i mësuat shkronjat e para që sot të jeni akademikë. Ua zhduku dhe shkatërroi librat shkollor që ju të mos shkolloheni. Ua mbylli bibliotekat që ju të mos kishit ku të lexonit. Ua zhduku dhe ua shkatërroi librat që ju të mos profilizoheshit në fusha të caktuara. Ua largoi e përjashtoi shokët dhe shoqet tuaja nga ulëset e bibliotekave. Ua largoi dhe përjashtoi punëtorët e bibliotekës që kujdeseshin për zgjedhjet tuaja kur ju uleshit në bankat e bibliotekës. Luftoj me polici e ushtri mbrapa vetes për t’ua humbur ekzistencën tuaj njerëzore. Dhe ju kuptoj, atëherë nuk mund të bënit më shumë.
E, kur mund të bënit ju më shumë? Në Kosovën e Pavarur, në Kosovën Shtet, në Kosovën brenda Shqipërisë. Mirëpo, a e dini çfarë? Në vitin 2018, ju z. Kraja, në Kosovën Republikë, me policinë e ushtrinë e saj që iu ruan si sytë e ballit, në kohë lirie dhe paqeje, çoheni dhe me akademikët e tjerë, Slobodan Kostićin e prezantoni si shkrimtar dhe ia numëroni disa nga veprat e shkruara nga fushat e tij. Ia rrafshoni fund e krye të kaluarën e tij kriminale me vetëm një paragraf. Me një të rënë lapsi e rrafshoni kulturocidin e Serbisë që me ushtri, militarista e grupe kriminale e manifestoi në Kosovë.
Mjerim nga ana juaj si kryeredaktor, redaktor përgjegjës dhe Akademi e Shkencave!!! Logjika njerëzore nuk arrin ta kapërdijë këtë absurditet që ia keni prezantuar miliona shqiptarëve e që vetëm ju kokat e akademisë jeni në gjendje ta prodhoni. Problemi është se në atë humbëtirën e akademisë shpesh ngatërrohet interesi personal me interesin shtetëror e kombëtar. Dhe, fatkeqësisht, shpesh atë interesin personal e keni primar para interesave shtetërore e kombëtare.
T’ua shkruaj siç e keni prezantuar Kostićin: KOSTIQ (Kostić) Sllobodan (1952-2012). Poet i letërsisë serbe nga Kosova. Lindi në Reçan afër Kamenicës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, gjimnazin në Kamenicë, studimet e letërsisë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Ishte gazetar në gazetën ditore “Jedinstvo” deri në vitin 1979, më pas punoi në katedrën e letërsisë serbokroate të Fakultetit Filozofik në Prishtinë. Me poezitë e tij u përfaqësua në disa antologji të letërsisë serbe dhe ishte laureat i një sërë çmimesh letrare. Veprat e botuara nga fusha e poezisë dhe e kritikës: “Fisheku mbi tabaka” (1977), “Leximi i hartës” (1983), “Rrënjësoret” (1987), “Këngët e pendimit” (2000), “Poezia e re serbe në Kosovë” (1981), “Krijimi dhe interpretimi” (1990), “Poezia fetare ortodokse” (2000). Botoi edhe libra në prozë: “Udhëtari nëpër kujtime dhe shenjtërime” (2010), “Rruga” (2011) etj. Ismet Markoviq. Botimi: Fjalori Enciklopedik i Kosovës. Kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës: Mehmet Kraja.
Ne pyesim si është e mundur? Po i dini saktësisht veprat e botuara, vitet kur janë botu, shkollimin, studimet, veprimtarinë e sukseset, ama, veç periudha gjashtë vjeçare 1990-1996 kur Kostići ishte ish-drejtor ilegal nuk ju është kujtuar. T’ua kujtoj, Slobodan Kostić është emëruar drejtor pasi është shkarkuar drejtori legal shqiptar, Mehmet Gërguri. Urdhëri për zgjedhjen e Kostićit drejtor ka ardhë nga Beogradi. T’ua kujtoj edhe këtë, Beogradi është qytet jashtë Republikës së Kosovës, rrjedhimisht nuk ka kurfarë të drejte të veproj në një shtet e komb tjetër. Ndërsa, urdhërat kanë ardhë në kohën kur Kosova ka qenë në okupim si shtet më vete me kryeqytet shtetëror, Prishtinën, kryeqytet historik, Prizrenin. Dhe, kryeqytet kombëtar, Tiranën.
Me siguri arsyetimet tuaja do t’i justifikoni me pretekstin: Epo, ne nuk i paskemi ditur këto dhe na është përvjedhur gabimisht ose kemi menduar për një tjetër Slobodan Kostić? E para: Nuk ka tjetër Slobodan Kostić, është i njëjti me të njëjtat fletushka të shkruara e të botuara. E dyta: Kush u është përvjedhur juve gabimisht? Jo, ju jeni përgjegjës për çdo shkronjë, shkrim a fjali që botohet e publikohet. Ju ishit në dijeni për kulturocidin serb nga viti 1990 e deri më 1999, veçmas për periudhën 1990-1996 kur Kostići i juaj poet i zbatonte në vijimësi urdhërat nga Beogradi. Poeti i juaj po ju them sepse ashtu e keni prezantuar para publikut. Në fakt, ai ishte një poet-polic që kishte urrejtje patologjike ndaj librit e gjuhës shqipe. Pra, patologjike, jashtë natyrës e arsyes njerëzore. Ndërsa juve nuk ju shkoi mendja ta shkruanit ndonjë fjali, rresht a paragraf e ta pasqyronit që ai ishte ish-drejtor ilegal e t’ia listonit dëmet që ia bëri librit e bibliotekave në Kosovë. T’ia mësonit breznive të ardhshme historinë e pastër.
E teksa jam duke ua shkruar këtë letër, m’u kujtua një këshillë nga Gjergj Fishta kur është bërë Shqipëria, shtet i pavarur natyrisht. Saktësisht shkruan: Tash që u bë Shqipëria, duhet bërë shqiptarët. Për cilët shqiptarë ka mundur ta ketë fjalën Fishta dhe për çfarë arsye? Ndër të tjera, e ka pasë fjalën tek krijimi i një identiteti shqiptar që është i brumosun nga vetëdija kombëtare, e cila shërben që një qytetar a zyrtar shteti logjikisht ta di çfarë është në interes të shtetit e kombit e çfarë nuk është. Ta di që kundër armikut nuk duhet të jesh neutral e objektiv, mirëpo tërësisht brenda detyrave për atdheun. Ta di saktësisht Akademia e Shkencave që fjala e saj ka peshë historike.
Kthehemi te kulturocidi. Kush mori vendime e kush i zbatoi ato? Ua renditi pikë për pike. Dhe kur t’i lexoni, besoj thellë-thellë në imazhet e kujtesës tuaj keni për t’i kujtuar veprimet e Kostićit në vitet e terrorit kur ju ishit të pranishëm. Sepse o keni qenë në Kosovë, o diku përreth Kosovës, o diku më larg. Nuk përbën rëndësi se ku ishit. Përbën rëndësi që keni qenë në dijeni të plotë për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovës sikurse për zhvillimet në tempullin e dijes: Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Në vijim lexojeni planifikimin dhe zbatimin e strategjisë serbe për kulturocid në Kosovë:
1. Ligji për Bibliotekat e Kosovës fillimisht është bërë më 28 prill 1978. Në janar të vitit 1990, në Serbi u aprovua ligji tjetër i veçantë për bibliotekat në mënyrë që përmes tij ta shtrijnë ndikimin dhe kontrollën serbe gjatë okupimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Këto vendime ligjore nuk i zbatuan dhe nuk i pranuan asnjëherë shqiptarët e Kosovës që përbënin më shumë se 90 përqind të popullsisë vendase.
2. Kur vendimet ligjore të Serbisë nuk e arritën efektin e planifikuar, atëherë më 27 shtator 1990 doli vendimi për aplikimin e masave të dhunshme në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ky vendim ishte publikuar në Gazetën Zyrtare të RSS nr. 53/90, vendim që filloi të zbatohej brutalisht prej 1 tetorit 1990.
3. Më 1 tetor 1990, në Bibliotekën Kombëtare u vendos bordi serb në krye me ish-drejtorin ilegal serb, Slobodan Kostić. Gjithashtu, edhe ndihmës drejtori tjetër i emëruar ishte serb. Kostići e mbajti postin e drejtorit ilegal deri në vitin 1996.
4. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, filloi të zbatohej kulturocidi serb kundër bibliotekave në Kosovë, kundër librit, literaturës dhe gjuhës shqipe. Thënë në aspekt të përgjithshëm, kundër trashëgimisë kulturore shqiptare.
5. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, në fillesat e masave të dhunshme nga bordi serb ishte lëshuar kjo komunikatë: “Tash po bëjmë regjistrimin e librit të vjetër e të rrallë, për të cilën gjë, do të vijnë në ndihmë shokët nga Biblioteka Popullore e Serbisë e do të mirremi vesh se a do të mbetet ky material në këtë bibliotekë apo do të transformohet në Bibliotekën Popullore të Serbisë, sepse, edhe për heqjen e kupolave nevojiten shumë para, që ne nuk i kemi”, shkruan Gazeta Liria, tetor 1990.
6. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, para se shqiptarët të largoheshin e përjashtoheshin nga puna, janë injoruar e keqtrajtuar brenda ambienteve në bibliotekë.
7. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, në ditët e para të tetorit më 1990 nga Biblioteka Kombëtare filluan të përjashtoheshin shqiptarët nga ambientet e bibliotekës në mënyrë sistematike. 96 punëtorë u larguan e u përjashtuan menjëherë nga biblioteka, ku pjesa dërrmuese ishin shqiptarë.
8. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, sipas të dhënave të Sindikatës së Pavarur të Bibliotekës Kombëtare, më 18 tetor 1990 janë përjashtuar edhe 22 punëtorë të tjerë shqiptarë, burra e gra, djem e vajza. Atyre u ishte kërkuar që brenda njëzetë minutash ta lirojnë bibliotekën ose kundër tyre do të merreshin vendime të dhunshme nga forcat policore serbe, shkruan e përditshmja e asaj kohe, Gazeta Fjala, tetor 1990.
9. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, në ditët e para u mbyllën 15 dyer të zyrave dhe sallave të bibliotekës. Deri në mesin e nëntorit në mënyrë sekrete janë bërë regjistrime të literaturës larg syrit të publikut. Për qartësim, janë regjistruar librat shqip që do të duhej të largoheshin dhe të shkatërroheshin. Sipas dëshmive nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, librat shqip nënvizoheshin me një vijë të kuqe dhe u lihej mbishkrimi që në shqip nënkupton: “E larguar”, “Largohet”.
10. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, në fillim të tetorit nuk kishte energji elektrike në bibliotekë. Energjia elektrike ishte ndërprerë edhe për disa ditë të tjera në fillim të muajit nëntor.
11. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, u pezullua puna e kompjuterit Microvax II përmes të cilit deri atë kohë bëhej regjistrimi i librave dhe literaturës shqipe. Kujtojmë, instalimi i kompjuterit ishte bërë në fillim të vitit 1989 nëpërmjet të cilit filloi procesi i përpunimit të librit dhe periodikut.
12. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, u ndalua veprimtaria, qarkullimi i informacioneve dhe publikimeve nga Biblioteka Kombëtare.
13. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, prej 26 tetorit 1990 e deri më 26 mars 1991, punohej në korridore të bibliotekës. Kjo për arsye që të largoheshin dhe të zhdukeshin sasi të mëdha materialesh nga biblioteka. Këto materiale janë klasifikuar dhe janë bartur në depo të bibliotekës e prej aty në drejtime të panjohura për t’u zhdukur dhe për t’u shkatërruar.
14. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, është ndaluar hyrja e librave shqip në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës që nga viti 1990.
15. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës lejoheshin të hyjnë vetëm libra në gjuhën serbe, gjuhë që nuk është zyrtare brenda trojeve autoktone shqiptare. Me këto veprime, është synuar që të zëvendësohet trashëgimia kulturore shqiptare me trashëgimin kulturore serbe. Natyrisht, serbët nuk e kanë arritur këtë dhe nuk kanë për ta arritur kurrë.
16. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ishte shndërruar në ndërmarrje biznesore me qëllim që të shkatërrohej literatura shqipe.
17. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, kati katërt i bibliotekës i ishte dhënë me qera Ndërmarrjes së Rrugëve “Magjistrala”.
18. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, katër lokale të katit të tretë i ishin Bashkësisë Kulturo-Arsimore të Kosovës që mbikëqyrej nga forcat policore serbe.
19. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, një hapësirë të bibliotekës e kishte zaptuar Mbrojtja Territoriale Ushtarake.
20. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, byfeja me krejt hapësirën e saj i ishte dhënë personave privat.
21. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, një hapësirë të bibliotekës e kishte marrë “Slloga” nga Beogradi, lokal i pajisjeve teknike, i cili ishte mbushur me ikonografi ortodokse.
22. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, në korrik të vitit 1991, nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës u larguan gjashtë kamionë me gazeta shqipe dhe u dërguan në Fabrikën e Letrës në Lipjan për shkatërrim.
23. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, më 28, 29, 30, 31 janar dhe 3 shkurt 1992 nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës u larguan 3 mijë e 80 pako tituj literature. Prej tyre, rreth 100 mijë libra shqip e 8 mijë 142 revista e gazeta shqipe me kamionë serbë janë dërguar në drejtime të panjohura. Kamionët kanë pasë tabela të Nišit dhe ato tabela sipas gjurmëve e dëshmive të kohës janë: (NI – 281 – 640), (NI – 286 – 140) dhe (NI – 281 – 298).
24. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, gazetat shqipe shiteshin edhe me kilogramë vetëm e vetëm që të shkatërroheshin. Atë kohë, 12 mijë e 300 kilogramë gazeta shqipe janë shitur për 12 mijë e 300 dinar në Fabrikën e Letrës në Lipjan. 1 kilogram gazetë në vlerë për 1 dinar. Për shembull, përkthyer në vlerë monetare të dollarit të asaj kohe, vlera është rreth 300 dollarë. Qëllimi i vetëm ishte të zhdukeshin botimet shqipe.
25. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, në vitin 1992, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës i ishte ndaluar bashkëpunimi me Bibliotekën e Shqipërisë.
26. Me Slobodan Kostićin, ish-drejtor ilegal, Bibliotekës Kombëtare iu ndalua bashkëpunimi edhe me Bibliotekën e Kongresit në Washington të Amerikës dhe me bibliotekat e shteteve të tjera.
27. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, në periudhën 1990-1996, asnjëherë brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nuk u lejua të hynin libra shqip.
28. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, kishte filluar përjashtimi i punëtorëve shqiptarë edhe nga bibliotekat e tjera në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
29. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, shqiptarët janë torturuar në biblioteka siç është rasti në Bibliotekën e Ferizajit “Anton Qeta”.
30. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, në gjithë territorin e Republikës së Kosovë janë mbyllur bibliotekat, rasti i Gjilanit, Podujevës, Vushtrrisë, Skenderajit, e të tjera.
31. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, përveçse në Bibliotekën Kombëtare, librat e literatura shqipe janë larguar e zhdukur nga bibliotekat e gjithë territorit të Republikës së Kosovës.
32. Me Slobodan Kostićin ish-drejtor ilegal, përveçse në Bibliotekën Kombëtare, në bibliotekat e gjithë Republikës së Kosovës është ndaluar hyrja e librave shqip.
Edhe një të vërtetë tjetër bazuar në dokumentimet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe dëshmitë e bibliotekave nga qytetet e Kosovës, nga viti 1990-1999, janë mbyllur, shkatërruar e djegur rreth 600 biblioteka të të gjitha llojeve. Vetëm gjatë luftës 1998-1999, janë shkatërruar e djegur 175 biblioteka. Dhe, janë shkatërruar e djegur 1 milion e 665 mijë e 496 libra nga forcat kriminale serbe.
E shini çfarë strategjie kriminale ka përgatitur aparati shtetëror serb kundër trashëgimisë kulturore shqipe në teren. Dhe, sa vendimi është marrë e zbatuar nga Slobodan Kostići. Mirëpo, do të vijë një ditë, kur Akademia e Shkencave do të ketë akademikë të tjerë me vetëdije të lartë kombëtare dhe besoj fuqishëm që do ta pastrojnë këtë mizerje.
Kurrë mos i harroni këto dy gjëra. Një: Pasioni më i shenjtë është dashuria për atdheun. Dy: Nuk ka shkallë më të lartë për intelektualin dhe akademikun se sa vetëdija kombëtare. Për fund, ju uroj ndërgjegjësim me këtë këshillë nga Mitrush Kuteli: Mëmëdhe, ky! Të ka bërë kokën, të ka rritur me thërrime, të ka falur gjuhën që flet./FolDrejt/