Ani pse jetojmë në një kohë ku përditë e më tepër njeriu po orientohet drejt avantazheve që ofron të qenit participant i shekullit të teknologjisë, librat, e për rrjedhojë edhe libraritë e bibliotekat, përbëjnë burim parësor të materialeve letrare e shkencore, me një shkallë më të lartë kredibiliteti. Por në ç’gjendje ndodhen ato në vendin tonë? Sa promovohet libri? Dhe sidomos, sa promovohet letërsia vendore? Përgjigjet e këtyre pyetjeve Fol Drejt është rrekur që t’i gjej nëpërmjet botuesve dhe drejtuesve të librarive.
Libraritë janë ende shtyllë e rëndësishme që i kontribuojnë të mësuarit përmes librit klasik. Ato përbëjnë një hapësirë fleksibile, ku lexuesi mund t’iu qaset teksteve nga fusha e gjuhë të ndryshme. Ato kanë një sistem renditjeje e promovimi që i kontribuon zgjerimit të autorit dhe veprës së shkruar.
Kosova, nuk mund të thuhet se ka shumë librari, krahas mundësive që ka për t’u zgjeruar në këtë fushë, por ka disa më përfaqësuese të cilat bëjnë punën e tyre në plotësimin e nevojave të tregut.
Mirëpo, ajo çka vret syrin në këto librari është një tendencë e vazhdueshme për ta promovuar të huajën, jo vetëm si libër të përkthyer, por madje edhe si libër të shkruar në origjinal. Dominojnë thirrjet për të blerë librat anglisht, e madje ndodh që edhe në ofertë të promovohen me një zbritje çmimi librat në gjuhë të huaj.
Rreth kësaj çështjeje Fol Drejt ka kërkuar prononcime nga autorë, shtëpi botuese e librari. Gatishmërinë për të reflektuar mbi çështjen kanë shprehur shkrimtari i njohur vendor Ag Apolloni, shtëpia botuese Bard Books dhe Libraria Dukagjini.
Reflektimet e tyre divergjojnë në disa pika, pasi teksa të parët insistojnë që tregu i librarive po bën rrugë që ta promovojë të huajën, e madje paradoksalisht të huajën jocilësore, komerciale, libraritë nga ana tjetër e shohin këtë si kërkesë të tregut, lexuesit vendor.
Sipas shkrimtarit Ag Apolloni, libraritë evropiane janë të prira që t’i promovojnë autorët vendorë, duke u ndarë një sesion specifik në vende të dukshme, siç është kati i parë i librarisë, ndërsa autorët e huaj vihen në katet e dyta, të treta. Objektivisht shihet se kjo dukuri nuk është aktuale nëpër libraritë tona, ku autorët vendorë vihen në kthinën ‘e padukshme’ e madje gëzojnë një vend modest në katet e dyta. Shprehja e famshme “mos e gjyko librin nga kopertina”, ani pse ka kuptime të thella dytësore, kur vjen rendi te libraritë tona sikur merr një kuptim fiks: “Sa më vizëlluese kopertina, aq më e vlefshme”. Teksa libraritë tona i vënë fajin lexuesit që ka krijuar një rrjet tregu që duhet domosdo të promovojë të huajën, Ag Apolloni e sheh me admirim funksionalizimin e librarive të huaja me logjikën e tregut për të promovuar atë çka është autentike, vendore:
“Duke u nisur nga sa kam parë nëpër libraritë e Evropës (Gjermani, Francë, Itali, Çeki etj.), them se kudo u jepet përparësi autorëve vendorë, të cilët dominojnë nëpër librari, pastaj ne një raft të veçantë, ose në kat të dytë e të tretë i vendosin edhe autorët e huaj, apo edhe librat në gjuhë të huaja. Kjo s’ka të bëjë me vlerën, sigurisht, por me logjikën e tregut për ta promovuar të veten, kombëtaren. Libraritë tona privilegjojnë dhe promovojnë librat duke u nisur nga kopertinat. Sa më vizëlluese kopertina, aq më e vlefshme u duket. Pra, mos të harrojmë se nuk reklamohen klasikët, por mediokrit. Danielle Steel, Anna Premoli, Jojo Moyes e budallallëqe të ngjashme lihen në vende më të dukshme se Kundera, Coetzee, Roth, Camus etj.”
Jemi të vetëdijshëm se jetojmë në një periudhë ku veçse është shfaqë një tendencë e tëhuajësimit nga autoktonja, me synimin e “evropianizimit” përmes përqafimit e promovimit të së huajës. E pyetur rreth aktualitetit të këtij fenomeni nëpër librari, Libraria Dukagjini është përgjigjur duke thënë se fenomeni në fjalë është rrjedhojë e tendencës së lexuesve të rinj që të lexojnë më shumë autorë të huaj. Për më tepër ajo e sheh si diçka që e ka determinuar edhe fatin e autorëve vendorë duke i lënë në prapaskenë, por kjo është diçka që ajo e cilëson si shije personale në të cilën libraria “nuk ka gisht”:
“Sa i përket ‘’evropianizimit’’ siç po e quani ju, është një tendencë e lexuesve të rinj që të lexojnë letërsi të huaj, ndoshta ndikimi i rrjeteve sociale dhe ekspozimi i librave të huaj ka bërë që letërsia shqipe të lihet pakëz anash dhe me këtë rast nënkuptohet ka interesim më shumë për autorë të huaj. Por, në fund të fundit, sado qe bëjmë promovim të letërsisë shqipe, ne nuk mund të përzihemi në çështjen e shijes personale.”
Atë që libraria zgjedh ta quajë shije personale të lexuesit, në të cilën ajo nuk mund të ndërhyjë, shtëpia botuese e sheh si diçka të cilën vetë libraritë kanë kultivuar duke nxjerrë në sfond vazhdimisht autorët e huaj, si cilësorë e të kërkuar:
“Libraritë tona, duke përfshirë këtu edhe ato në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, e promovojnë më shumë letërsinë e huaj. Kjo vërehet në vetë renditjen e librave nëpër raftet e librarive. Ekskluzivitetin e kanë shkrimtarët e huaj duke i lënë anash ata shqiptarë, rrjedhimisht edhe kërkesa nga lexuesi do të jetë e tillë. ”
Si pikë e dytë e diskutimit me shtëpinë botuese dhe librarinë, është puna që kanë bërë ato në promovimin e autorëve vendorë, ndërmarrjet e projektet, duke kërkuar de fakto raste konkrete që tregojnë përpjekjen e tyre në këtë drejtim. Të dy palët kanë folur për kontributin e tyre për të stimuluar e popullarizuar autorët vendorë, duke përmendur rastin e kolanës Safo me Bard Books, si ndërmarrje unike e promovimit të poeteshave shqiptare, letërsisë së gruas në përgjithësi, pastaj prozatorëve bashkëkohorë qoftë përmes promovimeve vendore qoftë përmes përkthimeve të autorëve si: Agron Tufa, Besnik Mustafaj, Ridvan Dibra e Ag Apolloni, ndërsa libraria Dukagjini ka përmendur si ilustrim konkret konkursin për financimin e shkrimeve personale të autorëve, me ç’rast fituesit kanë përfituar botim dhe promovim falas në librari, si shënim i 20 vjetorit të librarisë:
“Ne si shtëpi botuese jo rrallë herë i kemi përkrahur shkrimtarët dhe studiuesit shqiptarë me botime e ribotime, sidomos ata bashkëkohorë, siç janë Ridvan Dibra, Primo Shllaku, Stefan Çapaliku, Dritan Dragusha, Besnik Mustafaj, Arben Prendi dhe Ag Apolloni. Për t’i përkrahur këta që i përmenda dhe të tjerë, si shtëpi botuese i kemi përkthyer e botuar nga shqipja ne anglisht Dibrën, Çapalikun dhe Apollonin. Dhe, kemi një kolanë të veçantë për poeteshat shqiptare, të cilat deri tani janë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.”
Nga ana tjetër, Dukagjini ka vënë në dukje një fakt tjetër: “Ne si librari u kemi dhënë hapësirë krijuesve të rinj që të mund ta promovojnë librin e tyre. Kemi shumë raste, kurse njëri nga ta është që për 20 vjetorin e librarisë, kemi hapur konkurs për shkrimet personale të autorëve dhe fituesit kanë përfituar botim dhe promovim falas në librari.”
Është e padiskutueshme relevanca e promovimeve në popullarizimin e letërsisë vendore, në afrimin e lexuesit shqiptar me atë që duke qenë burimore është dukshëm më e afërt, më familjare, prandaj është detyrë e librarive, shtëpive botuese që të angazhojnë qenësinë e tyre për të kontribuar në konsolidimin e një tregu të pasur me librin vendor, do të thoshin shumica e autorëv vendorë. Ka raste kur në reklamat online të librarive dominojnë vetëm librat e letërsisë së huaj çka domosdo shpërqendron fokusin nga vendorja, duke e lënë në plan të dytë, pasi nuk i jepet vendi meritor. Kushtimisht kjo edhe krijon rrjetin zinxhiror që sipas Bard Books bëhet shkak që lexuesi ekskluzivisht të rend pas librave të letërsisë së huaj, në thelb jocilësor, komercialë, ku dominojnë romancat klishe e librat e suksesit.
Ndjehet dukshëm një interesim i lexuesit shqiptar për ta lexuar prozën, duke refuzuar kategorikisht poezinë, e cila ani pse e vështirë për t’u krijuar shpesh merr status jomeritor, duke u cilësuar si diçka e lehtë për t’u shkruar, e të cilën madje e shkruajnë shume njerëz jokompetentë. Për çështjen se sa pak lexohet poezia, ka folur gjithashtu me kompetencë Bard Books, duke e cilësuar si problem të cilën ajo e ka tejkaluar duke promovuar poeteshat e botuara me evente të veçanta, apo qoftë edhe përmes shitblerjeve online, në të cilën është aktivizuar më se kënaqshëm këto vitet e fundit:
“Librat poetikë në përgjithësi nuk priten mirë nga libraritë tona, madje shpesh edhe refuzojnë t’i marrin, kështu që lexuesi e ka të vështirë të arrijë deri te libri. Mirëpo, përmes promovimeve të ndryshme dhe blerjeve online lexuesi ka rënë në kontakt me poezinë e botuar.”
Të pyetur se cila ka më shumë prurje qoftë në rrafshin e lexuesit qoftë në atë të përfitimit material, letërsia vendore që po botoni apo letërsia e huaj që po përktheni, të dy shtëpitë botuese kanë bërë të ditur për raporte të ndryshme të bilancit midis letërsisë vendore dhe letërsisë së huaj në ndërmarrjet e tyre. Kështu, nga shtëpia botuese Bard Books kanë theksuar se ani pse ka përkthyer e promovuar autorë të rëndësishëm nga letërsia botërore, interesimi i tregut të saj për shkrimtarët vendorë është dukshëm më i madh, dhe këtë më së miri e provon përfitimi material prej autorëve vendorë nga bilanci i shitjeve: “Edhe pse shtëpia jonë botuese ka botuar shkrimtarë të rëndësishëm botëror, interesimi i lexuesit duket që është shkrimtari vendor. Edhe nga bilanci i shitjeve shkrimtarët vendor rezultojnë më të kërkuar.”
Nga ana tjetër libraria Dukagjini, ka potencuar se si ndërmarrje ka sjellë gjithmonë librat e rinj dhe më cilësorët, prej të dy letërsive, si asaj vendore ashtu edhe asaj ndërkombëtare. Sipas saj ekziston një balancim midis dy prurjeve në rrafshin e lexuesit dhe përfitimit material: “Kur është fjala për prurjet e reja, libraria ‘’Dukagjini’’ gjithmonë ka sjellë librat më të rinj dhe më të mirë, si nga ata vendorë dhe ndërkombëtarë. Ekziston një balancim mes prurjeve në gjuhën shqipe dhe asaj angleze.”
Prej asaj çka kanë reflektuar mbi çështjen të lartcekurit, vërehet se ekziston një diskordancë sa i përket punës se sa bëhet në promovimin e autorëve vendorë në opinionet e tyre, dhe kjo meqë realisht si letërsi vendore ekspozohemi shumë pak brenda tregut vendor e lëre më në tregun ndërkombëtar, ky është një fakt i pamohueshëm me të cilin pajtohen shumica e autorëve dhe botuesve vendorë.
Të njëjtit konsiderojnë në thelb është e rëndësishme që libraritë dhe shtëpitë botuese të bashkëpunojnë për t’i ofruar një zgjidhje kësaj çështjeje, pasi është e dukshme nga aeroplani, se nuk mund të duash tjetrin më shumë se veten, nuk mund t’i bësh nder letërsisë së huaj, dhe të presësh që të promovohesh si letërsi cilësore vendore njëkohësisht.
Fol Drejt ka provuar të kontaktojë edhe me libraritë e tjera në Prishtinë, por drejtuesit e tyre nuk kanë gjetur kohë për t’u përgjigjur./ Leonora Hajra/FolDrejt/