Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ka reaguar për herë të dytë pas publikimit në media të një emaili që një sinjalizues i ka dërguar Agjencisë Kundër Korrupsionit, email ky që përmban 11 faqe dëshmi të cilat dërguesi pretendon se po bëhen keqpërdorime në institucionin e BQK-së.
Në reagimin e saj, BQK-ja thotë se ka ftuar zyrtarisht dhe publikisht institucionet në fjalë konform legjislacionit në fuqi për të hetuar rastin.
BQK tutje thotë se bordi i saj është zotuar që brenda kompetencave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, do të punojë me përkushtim që pretendimet e tilla dhe të ngjashme të qartësohen në mënyrë që transparenca dhe llogaridhënia të jenë në nivelin më të lartë.
“Sigurimi i vendimmarrjes së shëndoshë, të drejtë dhe transparente mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe ligjore duhet dhe do të jenë shtyllë e punës për BQK-në si institucion kredibil me rendësi vitale për vendin”.