Vjosa Osmani ditëve të fundit e ka bërë publike një letër të cilën ia drejtoi presidentit amerikan në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Ajo me anë të kësaj letre i është drejtuar më konkretisht për ndihmë Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Biden, transmeton Fol Drejt.
Shumë nga mediat e njohura të huaja si Reuters, Radio Evropa e Lirë, AFP, Swissinfo.ch, Seenews, Indiatoday por edhe të tjera media i kushtuan vëmendje letrës së Osmanit.
Artikulli i shkruar nga Reuters gjithashtu thekson se Beogradi e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të saj.
Osmani në letrën drejtuar Biden kishte theksuar se Kosova sot është faktorë kyç në promovimin e stabilitetit rajonal, duke shprehur që SHBA-të në këtë kohë sfiduese për të gjithë, mund të llogarisin në mbështetjen e Republikës së Kosovës.
“Kjo është në fund të fundit vendosmëria e popullit të Kosovës, por është edhe arritja jonë e përbashkët, prandaj SHBA-të vazhdojnë të mbajnë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit tonë. Në këtë kohë sfiduese, dhe si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të llogarisin në Republikën e Kosovës si një mike dhe aleate e përkushtuar dhe si një vend që do të mbrojë interesat tona të përbashkëta”, është shprehur ajo.
Osmani gjithashtu është ndalur në çështjen se pse Kosova e meriton anëtarësimin në Nato duke shprehur më pas edhe optimizmin për mbështetjen e ShBA-ve:
“Kosova është vendi më pro-amerikan dhe pro NATO-s në botë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, Kosova mbetet e përjashtuar nga procesi, marrëveshjet dhe programet e zgjerimit të NATO-s, siç është Partneriteti për Paqe (PfP) dhe ende nuk është bërë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut (A5). Duke pasur parasysh këtë, ne shprehim besimin dhe pritshmërinë tonë që SHBA-të do të përdorin lidershipin dhe ndikimin e tyre për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit në NATO për Kosovën duke filluar me programin PfP dhe anëtarësimin e plotë në Kartën e Adriatikut”.
Në fund të letrës Osmani ka shtuar:
“Pres me padurim mundësinë për t’u takuar me ju personalisht sa më shpejt që të jetë e mundur. Pranoni konsideratën time më të lartë për ju dhe vendin tuaj. Zoti i bekoftë kombet tona dhe botën e lirë”.
Anëtarësimi në Nato është bërë një temë shumë aktuale në kohët e fundit, sidomos pas trazirave në Ukrainë./FolDrejt/