Anija gjigande që ka bllokuar Kanalin e Suezit ka lëvizur sot për herë të parë që prej nisjes së krizës, njoftuan autoritetet, të cilët shtuan se ka shpresa që kalimi të lirohet ndoshta brenda javës.
Transportuesja me flamur panamez Ever Given, ka ngecur në cekësirë prej të martës duke bllokuar kalimin e rëndësishëm të tregtisë botërore. Përpjekjet e sotme të kanë rezultuar në zhvendosjen e pjesës së pasme të saj, por puna e mëtejshme është penguar nga erërat e forta dhe ardhja e baticës, thanë autoritetet.
Kreu i Autoritetit të Kanalit të Suezit, Osama Rabie tha se shpresonte që puna të vijonte pa pasur nevojë që anija të zbrazet nga rreth 18,300 konteinerët e mallrave që ajo transporton.
Ai tha për mediat: “Pjesa e pasme e anijes është zhvendosur në drejtim të Suezit, dhe kjo ishte një zhvillim pozitiv deri pranë mesnatës së djeshme, kur nisi rënia e baticës dhe ne u detyruan të ndalonim. Ne presim që në çdo moment anija të rrëshkasë nga pika ku ndodhet aktualisht”.