Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen paralajmëroi kundër “devijimit të karburanteve të pista fosile”, pasi disa vende evropiane si Gjermania, Austria dhe Holanda, njoftuan se do t’i drejtohen qymyrit në mes të luftës së Rusisë kundër Ukrainës e cila ka shkaktuar probleme të furnizimit me energji.
Në një intervistë për media të ndryshme evropiane të martën, presidentja e KE-së, Von der Leyen tha: “Ne duhet të sigurohemi që ta përdorim këtë krizë për të ecur përpara dhe për të mos pasur kthim prapa të karburanteve të pista fosile”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke vënë në dukje se është “një vijë e hollë”, ajo tha se “nuk është e qartë nëse po marrim kthesën e duhur”.
Më 15 qershor, gjiganti rus i energjisë “Gazprom” tha se disa pajisje teknike dërguar kompanisë gjermane “Siemens” për mirëmbajtje nuk ishin kthyer ende dhe paralajmëroi zvogëlimin e dërgesave të gazit përmes gazsjellësit “Rrjedha Veriore”.
“Gazprom” tha se deri në 67 milionë metra kub në ditë furnizim me gaz mund të sigurohet përmes tubacionit që nga 16 qershori, një reduktim prej 60 për qind.
Holanda, Gjermania dhe Austria njoftuan se do të vënë në përdorim impiantet e tyre të qymyrit për të reduktuar konsumin e gazit me qëllim mbushjen e objekteve të depozitimit të gazit.
Ajo vazhdoi duke thënë se BE-ja ka përgatitur plane emergjente të cilat përfshijnë një gamë të gjerë hapash të nevojshëm.
“Kemi në zbatim plane emergjente që kanë të gjithë horizontin e hapave të nevojshëm nga elementi i efikasitetit te kursimi i energjisë, deri te prioriteti i nevojave”, shtoi Von der Leyen.
Duke thënë se politika e BE-së për energjinë bazohet në tre shtylla, Von der Leyen tha se “e para është diversifikimi i karburanteve fosile ruse. Kjo është marrëveshja ime me presidentin Biden për furnizim shtesë me LNG nga SHBA-ja ose udhëtimi im në Izrael dhe Egjipt për të rritur furnizimin me gaz natyror në Evropë”.
“Unë mendoj se ne tashmë jemi në procesin e heqjes së varësisë nga gazi rus në këto tre shtylla, duke u diversifikuar drejt furnizuesve të tjerë të besueshëm”, tha presidentja e KE-së./FolDrejt/