Ministri libanez i të zhvendosurve, Issam Sharafeddine, ka njoftuar se Libani planifikon të kthejë në Siri 15 mijë refugjatë sirianë për çdo muaj.
“Është e papranueshme që refugjatët sirianë të mos kthehen në vendin e tyre pas përfundimit të luftës atje”, tha Sharafeddine në një konferencë për media pas takimit të tij në Bejrut me presidentin Michel Aoun, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sharafeddine shtoi se “shteti sirian zgjat dorën e tij për bashkëpunim në këtë dosje”.
Ministri libanez tha se i bëri propozime drejtorit rajonal të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Ayaki Ito, për kthimin e refugjatëve, përfshirë formimin e një komiteti trepalësh me Sirinë dhe UNHCR-në.
Ai gjithashtu foli për një plan katërpalësh me Turqinë, Irakun dhe Jordaninë për kthimin e refugjatëve sirianë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Numri i refugjatëve sirianë që banojnë në Liban është afër 1.5 milionë, prej të cilëve rreth 900 mijë janë të regjistruar në UNHCR.
Shumica e refugjatëve vuajnë nga kushtet e vështira të jetesës, veçanërisht me përkeqësimin e krizës ekonomike libaneze nga njëra anë dhe krizës ekonomike globale nga ana tjetër./FolDrejt/