Secila kryeqendër e çdo metropol shtetëror, ngërthen objekte të çmuara brenda vetes. Me anë të tyre përfaqësohen brenda e jashtë vendit. Janë objektet antike, muzetë e galeritë, teatrot e kinematë si dhe institucionet e tjera simbol që iu bëjnë dritë qyteteve. Prishtina e zhurmshme dhe gjithë dinamikë, si kryeqendra e Kosovës, më së bukuri veçohet me disa librari e biblioteka.
Shkruan: Gëzim Olluri
Për vendorët apo të huajtë që e vizitojnë Prishtinën, libraritë e bibliotekat shpesh mund të mbesin vende enigmatike. Mirëpo, kur arrijnë të krijojnë njohje të reja me to, ato ua ofrojnë nji perspektivë ndryshe, duke u shndërruar momentet e vizitat në kujtime të përhershme.
Statistikisht nuk ka shumë, por ato që janë, mbesin vend-takimet më të atakuara të Prishtinës. Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” si simboli kryesor, lë në radhë libraritë që për nga laramania e literaturës, historikut të tyre e ambienteve mbresëlënëse, sjellin qetësi e ngrohtësi për vendasit e vizitorët. Pak nga pak, ato po bëhen bërthamat kryesore të qytetit.
Libraritë shkollore janë më të shumta në numër dhe fokusi i tyre është të ofrojnë materiale, literaturë e tekste shkollore për nxënësit. Veç këtyre, ka edhe librari me karakter fetar që sjellin material të bollshëm për klientët e tyre. Nga ana tjetër, janë disa librari të tjera që e ofrojnë një gamë të gjerë e të larmishme nga bota e letrave.
Libraria Albas, Libraria Alphabet J&H, Libraria Artini, Libraria Bardhi, Libraria Buzuku, Libraria Dija, Libraria Dukagjini, tetë kioska librare në sheshet kryesore, si dhe Biblioteka e Qytetit e Biblioteka Kombëtare, janë ambientet më të dashtuna të Prishtinës. Të gjitha në një linjë ndikojnë direkt a tërthorazi në rrafshin kulturor e në nivelin e mirëfilltë të leximit. Më poshtë ju sjellim informacione më konkrete rreth disa librarive të lartshkruara.
Libraria Albas
Libraria Albas i ka hapur dyert e saj ndërmjet viteve 2007-2008, ndërsa para krijimit të librarisë, është themeluar Shtëpia Botuese “Albas” në vitin 2000. Qëllimi kryesor i shtëpisë botuese kanë qenë dhe mbeten tekstet shkollore në gjuhën shqipe. Albas vepron me seli në Prishtinë në rrugën “Muharrem Fejza”, si dhe me dy seli të tjera: njëra në Tiranë e tjetra në Tetovë.
“Albas si qëllim dhe fokus kryesor e ka t’i sjellë tekstet shqipe sa më afër nxënësve në hapësira të ndryshme gjeografike, si dhe përpilimin e teksteve sipas kërkesave të veçanta të sistemeve arsimore në vendet ku veprojmë”, thonë nga redaksia e Librarisë Albas.
Libraria Albas aktualisht i ka rreth 300 tituj librash, duke i afruar të gjitha kategoritë dhe të gjitha fushat. Aty mund të gjeni libra artistik, nga fusha e parapsikologjisë, ajo e filozofisë dhe shkencës, kurse pjesa më dominuese e librarisë përmbanë libra për të vegjëlit. Bazuar në të dhënat e librarisë, Albas-in brenda vitit e frekuentojnë tre deri në katër mijë vizitorë.
Libraria Alphabet J&H
Libraria Alphabet J&H është hapur në qershor të vitit 2021 me seli tek Katedralja e Prishtinës “Nëna Terezë”. Aty gjendet edhe Shtëpia Botuese Alphabet J&H, e cila është themeluar më 12 dhjetor të vitit 2020. Bazuar në të dhënat e librarisë, në këtë librari 99% e titujve janë në gjuhën shqipe. Në hollet e librarisë, klientët gjejnë edhe gjëra apo simbole të figurave heroike shqiptare që përmbajnë vlera njerëzore e peshë historike.
“Qëllimet e Shtëpisë Botuese Alphabet J&H janë botimi dhe promovimi i librave të nivelit të lartë, kryesisht të përkthyera nga gjuhët e huaja, derisa fokusi i veçantë është tek shkencat humanistike e sociale. Deri më tani nga kjo shtëpi botuese në tregun librar janë dalë 35 botime në shërbim të lexuesve”, bëjnë me dije nga Libraria Alphabet J&H.
Libraria Artini – Toena
Libraria Artini – Toena ka 26 vite që operon në tregun librar në Republikën e Kosovës. E themeluar në vjeshtën e 1 tetorit më 1997, libraria me pamjen e brendshme panoramike gjendet afër Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në rrugën “Eqrem Çabej”.
Libraria Artini – Toena ka arritur ta rrjetëzojë shkëlqyeshëm ambientin e saj të bukur me libra nga të gjitha fushat. Aty mund të furnizoheni me vepra nga letërsia, historia, psikologjia, gazetaria, mjekësia, biografia, por ka edhe literaturë nga disa profile të tjera. Në sirtarët e librarisë ka mjaftueshëm libra e lektyra për fëmijë, si dhe vepra universitare për studiuesit e hulumtuesit.
Libraria Buzuku
Libraria Buzuku ka 33 vjet histori veprimi dhe gradualisht po shndërrohet në njërën nga ikonat e qytetit. Si për nga pesha historike, ashtu edhe për nga urëlidhja mes librit e lexuesve, ajo vazhdon të luaj rol të veçantë në lartësimin e kulturës shqiptare. Ajo ka dy pika vepruese në kryeqendrën e Kosovës. Që nga fillesat e saj, kanë kaluar miliona libra në raftet e librarive dhe librarëve vendorë e ndërkombëtarë. Aktualisht libraria numëron mbi 40 mijë tituj në stokun e saj dhe mbi 100 mijë tituj historikisht.
Krahas Shtëpisë Botuese “Buzuku”, libraria është themeluar në vitin 1990, si e para librari e shtëpi botuese e pavarur post-komuniste. Ndonëse funksionimi para luftës ka qenë në mënyra alternative e në forma të ndryshme nga ato që njihen në ditët e sotme, Libraria Buzuku nuk ka ndaluar asnjëherë veprimtarinë e saj në krijimin e traditës në botën letrare e kulturore.
Pas përfundimit të luftës së viteve 1998-1999, Libraria Buzuku është hapur në sheshin Edit Durham ku edhe aktualisht operon, derisa sipas librarit Edon Zeneli, ajo e ka gjetur veprimtarinë edhe në disa vende të tjera prishtinase në të kalumen.
“Pas luftës, ‘Buzuku’ është hapur në Sheshin Edit Durham, aty ku ende funksionon pika e vjetër dhe e parë e librarisë. Gjatë viteve 2000, ‘Buzuku’ ka operuar me librari edhe në pjesë të ndryshme të qytetit, në ‘Dardani’, si dhe afër Fakultetit Filologjik te lokalet e Lesna-s. Në fakt, edhe në tavolinat e famshme të shitjes së librit në Sheshin Zahir Pajaziti, që të kujton bukinistët parizienë”, shprehet Edon Zeneli.
Libraria përmban tituj e libra në të gjitha zhanret dhe në disa gjuhë. Hapësirat librare janë të dendësuara nga librat në gjuhën shqipe e angleze, por vendasit e vizitorët mund të gjejnë libra edhe në gjuhën frënge, gjermane e spanjolle. Brenda vitit janë mbi 250 mijë qytetarë që vizitojnë ambientet e Librarisë Buzuku. Tashmë libraria i ka dyert e hapura në katër pika funksionale, dy në Prishtinë, një në qendrën tregtare “Albi Mall” rreth dy kilometra afër Prishtinës, si dhe një tjetër në qendrën tregtare “Prishtina Mall”, 8-10 kilometra nga kryeqyteti.
Libraria Dukagjini
E krijuar më 4 maj në vitin 2000 dhe me operim në sheshin “Nëna Terezë”, Libraria Dukagjini është shndërruar në një shtëpi ngrohtësie për klientët e lexuesit e saj. Objekti i brendshëm i ndarë në tri kate ofron hapësira të mjaftueshme e tejet mahnitëse për vizitorët e dashamirët e librit. Këndet e rregulluara bukur si dhe ulëset për organizime kulturo-letrare janë disa nga veçantitë e Librarisë Dukagjini.
Në fondin e saj janë më shumë se 45 mijë tituj librash të shkruara penat e letërsisë shqiptare e botërore. Aty mund të gjeni literaturë klasike, ekonomi, drejtësi, mjekësi, shkenca shoqërore, monografi, histori, filozofi, politikë, gjeografi e psikologji, si dhe katin e veçantë me libra vetëm për fëmijë.
Përveç literaturës e veprave në gjuhën shqipe, libraria ofron literaturë edhe në gjuhën angleze, frënge, turke, spanjolle dhe italiane. Veç selisë kryesore në qendër të Prishtinës, libraria i ka edhe dy pika të tjera, një në qendrën tregtare “Prishtina Mall” në aksin rrugor Prishtinë-Ferizaj, si dhe një tjetër në qytetin e bukur të Pejës.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” përtej jetës artistike, letrare e kulturore që ofron, mbetet simboli i Prishtinës. Ajo mbetet foleja ku gjuha shqipe e identiteti i shpirtit shqiptar u ka rezistuar luftërave e dyndjeve historike që kanë sjellë periudhat historike si shkak i masave të dhunshme nga aparteidi e lufta gjenocidale e ish-okupatorit – Serbisë.
Njëra nga reliktet kryesore të Kosovës i ka bërë 79 vjet histori mbi supet e saj. Themelimi i tempullit të dijes daton nga viti 1944 në kryeqendrën historike – Prizrenin, kurse nga 25 nëntori i 1982-ës vepron në objektin aktual në Prishtinë. Deri në çlirimin e Kosovës, nën vendime detyruese nga koha e ish-Jugosllavisë, biblioteka ka bartur disa emërtime e në shumë raste i është ndërruar vendndodhja. Madje, nga viti 1953 e deri më 1962, ka qenë e mbyllur tërësisht.
Nga viti 1980 kur janë shtuar masat e dhunshme përmes forcave policore serbe e deri më 1999 kur forcat pushtuese të Serbisë e humbën luftën dhe u larguan nga Kosova, Biblioteka Kombëtare ka pësuar dëme e shkatërrime të mëdha sa i përket literaturës shqipe.
Në qershor të 1990-ës, autoritetet okupatore serbe vendosën një varg masash agresive, diskriminuese e të padrejta ndaj më shumë se 90 përqind të popullatës etnike vendase shqiptare. Në këtë mes edhe përjashtimin e shqiptarëve nga të gjitha institucionet arsimore e shtetërore. Kështu, në tetor të ’90-ve, nga Biblioteka Kombëtare u përjashtua drejtori legal Mehmet Gërguri që vepronte aty nga 1968-a dhe u vendos bordi ilegal serb me drejtor Slobodan Kostićin.
Për një periudhë nëntë vjeçare, me direktiva nga Beogradi, nga aparatura policore e ushtarake serbe, nga Biblioteka Kombëtare janë larguar të gjithë lexuesit e punonjësit shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera. Mbi 100 mijë libra shqip e 8 mijë gazeta e revista shqipe me kamionë serbë janë dërguar në drejtime të panjohura për asgjësim e disa prej tyre për shkatërrim në fabrikën e letrës në Lipjan. Bibliotekës i është ndërprerë bashkëpunimi me Bibliotekën e Shqipërisë dhe bibliotekat e shteteve të tjera. Është ndaluar hyrja e librit dhe botimeve në gjuhën shqipe. Hollet e bibliotekës u janë dhënë me qera ndërmarrjeve biznesore serbe ndër vite, derisa në vitin 1999 hapësirat e bibliotekës janë shfrytëzuar nga njësitet ushtarake të Serbisë.
Mehmet Gërguri, ish-drejtor në Bibliotekën Kombëtare gjatë viteve të ’90-ta, tregon se pas çlirimit të Kosovës, në bibliotekë së bashku me ushtarë të KFOR-it kishin gjetë dëshmi se aty kanë qëndruar forcat pushtuese të Serbisë në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.
“Teksa po kaloja rreth Bibliotekës Kombëtare me një mik timin, takuam ushtarë të KFOR-it. Biseduam me ta dhe na thanë që do të bëjnë një kontroll. U prezantova se kush isha, hynëm bashkë në bibliotekë. Në katin e tretë, tek sistemi i ngrohjes e ftohjes kemi gjetë armë, pushkë, snajper, automatik e plot municion. Edhe në një vend tjetër ashtu kemi gjetë armë. Në bodrum kemi gjetë shumë rroba të oficerëve serbë. Kemi gjetë edhe harta dhe flamurin e luftës. Me sa e di, njësia kryesore serbe për Kosovë ka qenë e vendosur aty. Atë kohë kur është dhënë urdhër me dalë prej Kosove, i kanë lënë ashtu”, kujtonte Mehmet Gërguri rikthimin e tij në bibliotekë.
Për masat represive serbe në Bibliotekën Kombëtare, shprehej edhe drejtori aktual Fazli Gajraku. “Kur i kemi shikuar regjistrat e tanishëm, aty kemi hasur lista ku çdo njësi librare shqipe e librat nga Tirana ishin me një vijë ngjyrë të kuqe dhe në fund shënonte ‘E larguar’, ‘Largohet’ dhe kështu ishin larguar e zhdukur nga biblioteka”, tregon Fazli Gajraku – drejtor në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Objeki i tanishëm i bibliotekës është hapur më 25 nëntor 1982 dhe është projektuar prej arkitektit kroat – Andrija Mutnjaković, nga Zagrebi i Kroacisë. Hapësira e saj kapë një perimetër prej 16 mijë e 500 metrash katror.
Biblioteka i ka dy salla të mëdha me 600 vende, dy salla të tjera me 400 ulëse, sallën e periodikut, dhomat për fonde të veçanta, sallën e leximit për punëtorët shkencorë, dy amfieatre: Amfiteatri i Madh me 150 ulëse dhe Amfiteatri i Vogël me 75 ulëse. Brenda holleve gjendet edhe Shërbimi i Restaurimit dhe Konservimit, Qendra e Internetit për Përdorues, Qendra e Trajnimeve, Arkivi Medial, Dhoma e Shkrimtarëve, Qendra Informative për Qeverisje Parlamentare, Depozitura e Bibliotekës së NATO-s dhe Këndi Amerikan i Leximit.
Aty ruhen më shumë se 5 mijë e 302 libra të rrallë e historik. Bazuar në informacionet e Bibliotekës Kombëtare, në stokun e periodikut të rrallë janë më shumë se 300 tituj, rrespektivisht 4 mijë e 160 njësi mediatike të datuara nga viti 1883. Nga burimet e bibliotekës thuhet se në bibliotekë ruhen 779 dorëshkrime shqipe me grafi latine, greke e arabe. Pjesa më e madhe e tyre janë dorëshkrime orientale në gjuhën arabe, osmane e persiane dhe dorëshkrime shqipe me alfabet oriental.
Biblioteka Kombëtare veçohet për nga stili interesant i objektit dhe për nga forma e kupolave të cilat sjellin mjaftueshëm dritë gjatë ditës për brendësinë e bibliotekës. Në fondet e saj librare gjenden mbi 2 milionë e 100 mijë njësi mediatike dhe më shumë se 500 mijë tituj librash.
Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sulejmani”
Sipas shënimeve gjurmuese nga gazeta e shtypur “Rilindja” që botohej në vitet e ’90-ta, rrugëtimi i bibliotekës daton nga viti 1946 me rreth 1 mijë e 300 libra. Nga ana tjetër, sipas dokumentacionit zyrtar, 12 prill 1963 është data kur biblioteka është themeluar nga Kuvendi i Prishtinës. Nga 1947-a e deri më 23 gusht të 2016-ës, biblioteka veprimtarinë e ka zhvilluar në objektin e vjetër përballë objektit komunal, kurse nga 2016-a është bartur në objektin e ri në Dardani.
Kujtojmë se gjatë masave të dhunshme nga regjimi i ish-okupatorit serb, edhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” ka qenë cak i kontrollës nga aparatura e forcave serbe. Madje dy herë i është ndërruar emërtimi e pas luftës është emërtuar me emërtimin “Hivzi Sulejmani”.
“Gjatë zhvillimit e funksionimit të saj, biblioteka ka kaluar nëpër batica e zbatica të ndryshme sikurse në pasurimin e fondit librar, ashtu edhe punësimin e njerëzve profesional në baza etnike me hove zhvillimore, por shpesh me diskriminime e pengesa të ndryshme. Kjo bibliotekë si institucion i kulturës, kohë pas kohe ka qenë në shërbim të politikës e pushtetit, sidomos gjatë viteve ’50-ta, ’60-ta e ’90-ta, ku diskriminimi është bërë si ndaj kuadrit shqiptar, ashtu edhe ndaj gjuhës shqipe, librit shqip e lexuesit shqiptar “, rrëfen Munish Hyseni, drejtor i Bibliotekës – Hivzi Sulejmani.
Lexuesit në bibliotekë mund të gjejnë literaturë nga të gjitha zhanret si dhe për arsye studimore. Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese e veprave vijnë nga letërsia, historia, filozofia, sociologjia, psikologjia, politika, artet, ekonomia e mjekësia. Hapësinat më të mëdha të literaturës në bibliotekë gjenden në gjuhën shqipe, por nxënësit, lexuesit e studiuesit mund të gjejnë e furnizohen me libra edhe në gjuhën angleze, kroate, serbe, turke, si dhe në dy-tri gjuhë të tjera.
Bazuar në të dhënat regjistruese të bibliotekës, viteve të fundit bibliotekën e kanë frekuentuar 4 mijë deri në 4 mijë e 500 lexues, derisa viteve të mëhershme numri sillej mes tetë e nëntë mijë leximtarë. Në fondin e saj librar gjenden mbi 25 mijë tituj librash me 201 mijë ekzemplarë./FolDrejt/