Më shumë se 20 liderë botërorë kanë bërë thirrje për një zgjidhje të re për të ndihmuar botën që të përgatitet për pandemitë e ardhshme.Në një shkrim për gazetat në të gjithë botën, udhëheqësit përfshirë presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel thanë se COVID-19 ka paraqitur sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.
Nuk është çështje nëse do të ndodhë një krizë tjetër pandemike, por kur, kanë shkruar ata.
Liderët në këtë artikull të përbashkët kanë thënë se pandemia e COVID-19, ka treguar se “askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”.
Udhëheqësit thonë se për të ndërtuar bashkëpunimin ndërkombëtar duhet një traktat i ngjashëm me atë të arritur pas Luftës së Dytë Botërore.
Nënshkruesit, ndër të cilët është edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, thonë se “në atë kohë, pas shkatërrimit të dy luftërave botërore, udhëheqësit politikë u bashkuan për të fuqizuar sistemin shumëpalësh”.