Gjermania do të presë një samit të liderëve ballkanik, si pjesë e planeve të Berlinit për të përshpejtuar integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian (BE).
Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Berlin për të diskutuar mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë energjetike, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Integrimi i rajonit në BE ka fituar më shumë urgjencë pas fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, tha një diplomat i lartë gjerman në kushte anonimiteti, duke shtuar se kancelari Scholz është i përkushtuar për të përshpejtuar pranimin në BE të Serbisë, Malit të Zi dhe Bonjë e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë.
“Strategjia e Rusisë ka qenë të manipulojë përçarjet në Ballkanin Perëndimor. Ne do të donim ta kundërshtonim këtë. Ne do të donim të rrisnim bashkëpunimin midis këtyre vendeve. Dhe ne do të donim t’i afronim ato me BE-në”, theksoi diplomati.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar anëtarësim në bllok për më shumë se një dekadë dhe liderët e tyre kanë kritikuar vazhdimisht homologët e tyre evropianë për hezitimin për të pranuar anëtarë të ri, duke bllokuar zgjerimin e BE-së.
Serbisë dhe Malit të Zi iu dha statusi i vendit kandidat në BE më shumë se dhjetë vjet më parë dhe që atëherë kanë vazhduar negociatat për t’u bashkuar me bllokun.
BE-ja vendosi të nisë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në muajin korrik, ndërsa Bosnjë e Hercegovina shpreson të marrë statusin e vendit kandidat në BE këtë dhjetor. Tani për tani, Kosova konsiderohet vetëm kandidat potencial për t’u anëtarësuar në BE.
– Gjermania do të zotohet për mbështetje të fortë
Sipas diplomatit, kancelari Scholz po planifikon të përsërisë mbështetjen e fortë të Berlinit për anëtarësimin e këtyre vendeve në BE gjatë samitit, duke rritur pritjet e tyre.
Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmbushin “kriteret e Kopenhagës” të BE-së për anëtarësimin, të cilat kërkojnë stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, si dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave.
Sipas diplomatit, BE-ja pret që vendet e Ballkanit Perëndimor të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me atë të BE-së, duke mbështetur sanksionet e bllokut kundër Rusisë.
Këtu, tha diplomati gjerman, lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë dhe marrëveshjet e saj të fundit për të rritur bashkëpunimin me Moskën, kanë qenë një burim shqetësimi.
Scholz, von der Leyen dhe liderët ballkanik nesër pritet të diskutojnë çështjet e politikës së jashtme, konfliktin Rusi-UKrainë dhe rritjen e numrit të refugjatëve në rrugën ballkanike.
– Liderët do të nënshkruajnë tre marrëveshje
Sipas diplomatit, një nga pikat kryesore të samitit do të jetë ceremonia e nënshkrimit të tre marrëveshjeve nga liderët.
Me këto marrëveshje, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të njohin reciprokisht kartat e identitetit, diplomat universitare, kualifikimet profesionale dhe diplomat e njëri-tjetrit, duke mundësuar lëvizjen e lirë dhe bashkëpunimin më të ngushtë rajonal.
“Këta janë hapa reale, praktike për njerëzit. Këto do të sjellin një dinamikë të re dhe pozitive për bashkëpunim më të ngushtë në rajon”, tha diplomati.
Gjatë samitit, liderët pritet të diskutojnë edhe sigurinë energjetike, ndërlidhjet e energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor, si dhe mbështetjen e BE-së për vendet për të rritur bashkëpunimin në këtë fushë.
Samiti i Ballkanit Perëndimor do të mbahet në kuadër të “Procesit të Berlinit”, iniciativë e ngritur nga Gjermania në vitin 2014 si një platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit./FolDrejt/