Liderët e Bashkimit Evropian do të mblidhen në qytetin portugez Porto sot më 7 maj për një samit dyditor – i pari ballë për ballë i këtij viti – për të diskutuar mënyra se si të zvogëlojnë efektin e pandemisë në bllokun me 27 anëtarë.
Ata pritet të diskutojnë edhe propozimin e Shteteve të Bashkuara për të shpërndarë teknologjinë që qëndron mbrapa vaksinave kundër koronavirusit, me qëllim të dhënies fund të pandemisë sa më shpejt që është e mundur.
Më 8 maj, liderët e BE-së do të realizojnë edhe një video-konferencë me kryeministrin indian Narendra Modi, shteti i të cilit është duke u përballur me valë shkatërruese të koronavirusit dhe ka nevojë urgjente për ndihmë ndërkombëtare.
Komisioni Evropian ka propozuar lirimin e kufzimeve për udhëtime në bllokun evropian këtë verë.
Megjithatë, situata me pandeminë vazhdon të jetë e paqëndrueshme, pasi disa vende evropiane po përballen ende me kufizime.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri i Holandës Mark Rutte kanë vendosur të marrin pjesë në takim në mënyrë virtuale, derisa kryeministri i Maltës Robert Abela do të lidhet përmes linkut, pasi është në karantinë.
Pjesëmarrësit e samitit duhet të tregojnë rezultatin negativ të testit PCR për koronavirus, si dhe liderëve u është kërkuar të mbajnë distancën dhe të vendosin maskat.
BE-ja synon të fitojë përkrahje në Porto për tri pika: shkallë punësimi në të gjithë BE-në të paktën 78 për qind, më pas ofrimin e trajnimeve në vit për 60 për qind të popullsisë si dhe zvogëlimin e numrit të atyre që rrezikohen nga varfëria apo përjashtimi social.