Evropa i ka shkaktuar vetvetes krizën energjetike duke hequr gradualisht prodhimin e energjisë, deklaroi kryetari i bashkisë së qytetit belg Antwerpen, Bart De Wever, në një intervistë televizive.
De Wever, lideri i partisë nacionaliste Aleanca e Re Flamane (N-VA), në një intervistë për kanalin televiziv VRT, kritikoi heqjen e prodhimit të energjisë primare në Evropë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Kjo, natyrisht, nuk është një krizë që shkaktoi presidenti rus Vladimir Putin, por një krizë që vetë Evropa e shkaktoi duke hequr gradualisht prodhimin e saj primar të energjisë në këtë shekull”, tha ai.
Ai shtoi se nuk lejohet shfrytëzimi i rezervave të naftës, gazit dhe qymyrit, ndërkohë që vende si Gjermania dhe Belgjika kanë fikur njëkohësisht energjinë bërthamore.
“Dikur mund të bënim shumë para me termocentralet bërthamore, por tani këto centrale po mbyllen”, tha De Wever, duke iu referuar qeverisë së mëparshme belge që vendosi të mbyllë dy termocentrale bërthamore.
“Belgjika ka falimentuar, ne jemi Greqia e re”, tha ai, duke shtuar se borxhi publik dhe shpenzimet shtetërore të vendit të tij tregojnë një situatë më të keqe se të disa vendeve në jug të Evropës, të cilat shpesh janë objektiv i kritikave për mosrespektimin e disiplinës buxhetore.
Sipas De Wever, Europa tani duhet të përballet me pasojat e “heqjes dorë nga të gjitha burimet e energjisë, duke e bërë veten të varur nga Putini”.
“Në Amerikë, njerëzit nuk janë në këtë rrëmujë”, shtoi ai, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara janë bërë eksportues të naftës dhe gazit për 20 vite./FolDrejt/