Mallrat promocionale në zinxhirin tregtar Lidl janë shumë të njohura, ndaj nuk është e pazakontë që klientët të nxitojnë në dyqan dhe të gjenden përballë rafteve të zbrazëta, të cilat janë “rrënuar” nga personat që zgjohen herët. I ashtuquajturi sistem semaforik që Lidl ka instaluar në objektet e tij në Gjermani, tani duhet t’i ndihmojë klientët në kërkimin e tyre.
Sistemi i semaforëve duhet t’i ndihmojë klientët të kursejnë kohë dhe një kërkim të gjatë për një artikull specifik nga një pikë shitje me pakicë në tjetrën.
Lidl në Gjermani tashmë shfaq stokun e artikujve të saj promocionalë jo ushqimorë në kohë reale në aplikacionin e përdoruesit dhe në faqen kryesore. Mediat gjermane shkruajnë se ky sistem do të shtrihet edhe në zona të tjera, e ndoshta edhe në tregje të tjera.
Për shembull, një ekran i kuq, i verdhë ose jeshil duhet të funksionojë edhe në pajisjet e punonjësve të Lidl, në mënyrë që ata të kontrollojnë stokun në dyqanet fqinje.
Në sistemin e semaforëve, e kuqja do të thotë “i shitur”, e verdha do të thotë “pothuajse e shitur” dhe e gjelbër do të thotë “e disponueshme”. Gjithashtu detaje si ngjyra ose madhësia e produktit duhet të përfshihen gjithashtu në sistem.
“Është një revolucion për zbritjet”, shpjegon menaxheri i Lidl, Tim Schroeder në reportazhin e “LZ”.
Ky “revolucion”, siç e quan Schroeder, është i mundur sepse arka e Lidl regjistron informacione shtesë për artikujt e shitur, kështu që mund të shihet jo vetëm nëse një bluzë e caktuar gjendet ende në dyqan, por edhe në cilën ngjyrë apo madhësi mund të blihet. /FolDrejt/