Pas deklaratës së Kryeministrit Kurti, duket se Ligji për Financimin e Partive Politike, do të përcaktojë qartë burimet e financimit, me të cilin pritet të përfundojë njëherë e përgjithmonë, financimi i partive politike nga fondet e parave të pista, fondet e dyshimta dhe pa transparencë, një praktikë korruptive që ka funksionuar, pa asnjë pengesë, përgjatë dy dekadave të qeverisjes së partive të inkriminuara në Kosovë.Kurse me aktin e ri ligjor, bëhet e qartë se sapo ka filluar edhe një proces i plotësim ndryshimit të ligjit për financimin e partive politike, që në fakt ishte edhe një kërkesë e kahershme e vetë BE-së, por që ishte bllokuar qëllimshëm dhe asnjëherë nuk u lejua të jetësohej në praktikë, nga qeveritë e kaluara.
-Qysh në diskutimin e parë publik rreth kësaj nisme, Kryeministri Kurti ka deklaruar se Ligji për Financimin e Partive Politike, tash e tutje, medoemos duhet të përcaktojë qartë shumat e lejuara dhe burimet e financimit, si dhe do të ofrojë transparencë maksimale për opinionin publik dhe të gjithë qytetarët.
Për aq më tepër, ai është shprehur se zgjedhjet, që janë edhe baza e demokracisë, varen kryekëput nga një elektorat i mirë informuar, i cili zgjedhjen e bën mbi bazën e besimit të krijuar dhe programin e prezantuar nga subjekti politik, e jo nga tregtimi i votës së lirë, sepse jo vetëm se është e padrejtë, por ato edhe nuk mund të varen nga korporatat, grupet lobuese apo ndërmarrjet speciale, të cilat dinë të shkruajnë çeqe, ndërsa është populli ai që duhet ta paguaj faturën./FolDrejt/