Projektligji i pagave për sektorin publik pritet që muajin e ardhshëm të arrijë në Kuvendin e Kosovës për miratim, thonë zyrtarë të Qeverisë. Nëse arrin të miratohet në këtë periudhë, zbatimi i tij nuk mund të fillojë deri në gjysmën e dytë të vitit, thonë anëtarë të Komisionit për Ekonomi dhe Financa në Kuvendin e Kosovës.
Por, sindikata e punëtorëve të Policisë dhe e atyre të Arsimit shprehen se duhet të përshpejtohet miratimi dhe zbatimi i këtij ligji, për shkak të ngritjes së çmimeve të konsumit.
Çmimet e produkteve të konsumit në dhjetor të vitit të kaluar janë rritur për 6.7 për qind.
Ligji i pagave është miratuar në muajin shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi në mars. Por, në dhjetor të vitit 2019, institucioni i Avokatit të Popullit këtë ligj e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, për, siç u tha, “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.
Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.
Ligji i shfuqizuar, aktualisht, është në fazën e fundit të hartimit dhe së shpejti pritet të fillojë edhe procesi i konsultimeve paraprake, pastaj edhe konsultimeve publike, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga zyra e kryeministrit të Kosovës. Për këtë, Qeveria, thuhet në përgjigje, ka filluar që të kontaktojë me të gjitha sindikatat relevante.
Sindikata e Policisë dhe ajo e Arsimit kanë konfirmuar se i kanë marrë ftesat për dërgimin e emrave të përfaqësuesve të tyre, por deri më tani nuk është caktuar ndonjë takim.