Më shumë se 18.000 raste të lisë së majmunëve dhe pesë vdekje janë regjistruar në 78 vende, me më shumë se 70 për qind të infeksioneve në Evropë dhe 25 për qind në Amerikë, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Rreth 10 për qind e rasteve kanë kërkuar shtrim në spital “për të menaxhuar dhimbjen e shkaktuar nga sëmundja”, tha shefi i OBSH-së Tedros Ghebreyesus në një vebinar mbi COVID-19 dhe linë e majmunëve, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ky është një shpërthim që mund të ndalet nëse vendet, komunitetet dhe individët informohen, i marrin seriozisht rreziqet dhe marrin hapat e nevojshëm për të ndaluar transmetimin dhe për të mbrojtur grupet e cenueshme”, tha ai.
OBSH-ja e shpalli linë e majmunëve emergjencë shëndetësore globale të shtunën e kaluar.
“Edhe pse 98 për qind e rasteve deri më tani janë në mesin e meshkujve që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, kushdo që është i ekspozuar mund të sëmuret nga lia e majmunit, kjo është arsyeja pse OBSH-ja rekomandon që vendet të ndërmarrin veprime për të reduktuar rrezikun e transmetimit te grupet e tjera të cenueshme, duke përfshirë fëmijët, gratë shtatzëna dhe ata që janë të imunosupresuar”, tha Tedros.
Ai paralajmëroi se stigma dhe diskriminimi “mund të jenë po aq të rrezikshëm sa çdo virus dhe mund të nxisin shpërthimin e lisë së majmunëve”.
“Siç e kemi parë me COVID-19, dezinformatat mund të përhapen me shpejtësi në internet, kështu që ne u bëjmë thirrje platformave të mediave sociale, kompanive të teknologjisë dhe organizatave të lajmeve që të punojnë me ne për të parandaluar dhe luftuar informacionin e dëmshëm”, tha ai.
Përveç transmetimit përmes aktivitetit seksual, lia e majmunëve mund të përhapet në familje përmes kontaktit të ngushtë mes njerëzve, si përqafimet dhe puthjet, si dhe peshqirët ose shtroja të kontaminuara, shpjegoi ai.
Tedros tha se OBSH-ja rekomandon vaksinimin e synuar për ata që janë të ekspozuar ndaj personave me linë e majmunit dhe njerëzve të tjerë në rrezik të lartë të ekspozimit, siç janë disa punonjës laboratori dhe ata me partnerë të shumtë seksualë.
“Në këtë kohë, ne nuk rekomandojmë vaksinimin masiv kundër lisë së majmunëve”, tha ai.
Një vaksinë kundër lisë, MVA-BN, është miratuar në Kanada, SHBA dhe Bashkimin Evropian për përdorim kundër lisë së majmunëve.
Dy vaksina të tjera, LC16 dhe ACAM2000, po shqyrtohen gjithashtu, sipas OBSH-së./FolDrejt/