Kreu i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka qëndruar sot në Hagë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së, pikërisht në 17-vjetorin e lirimit të tij nga Tribunali i Hagës.
Limaj ka theksuar se asnjëherë nuk e ka menduar se se do të kthehet sërish në Hagë, sepse ka qenë i bindur se do të ishte luftëtari i fundit që futet dhe del nga ajo ndërtesë.
“Bashkëluftëtarët të cilët do t’i vizitoj sot e kanë të qartë që aty nuk janë për çështje personale, por për të zhvilluar betjën e fundit për pavarësinë e Kosovës. Një betejë ndryshe, me mjete të tjera, me mjete ligjore!
Ata janë të vetëdishëm që kjo betejë është për historinë e Kosovës. Pikërisht, këtu po tentohet përmbysja e historisë së lavdishme të kombit tonë, jo vetëm për ne që sot jetojmë, por për gjeneratat që do të vijnë edhe pas 100 viteve”, është shprehur Limaj.
“Kështu që, beteja në Hagë nuk është betejë personale as e Hashim Thaçit, as e Jakup Krasniqit, as e Kadri Veselit, as e Rexhep Selimit dhe të tjerëve, por përmes tyre, është betejë për Kosovën!
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, prandaj epilogu i kësaj beteje nuk mund të jetë ndryshe pos fitore!”, ka shtuar ai./FolDrejt/