Aeroporti gjerman në Mynih është i detyruar të anulojë të gjitha fluturimet e planifikuara për të dielën dhe të hënën për shkak të grevës.
“Të dielën, më 26 mars dhe të hënën, më 27 mars 2023, nuk do të ketë qarkullim të rregullt pasagjerësh në aeroportin e Mynihut për shkak të grevave gjithëditore”, thuhet në një deklaratë të autoritetit të aeroportit, përcjell Fol Drejt.
Pasagjerëve që rezervonin një fluturim në ato ditë iu kërkua të kontaktonin kompaninë e tyre ajrore ose operatorin turistik.
Sindikatat gjermane njoftuan të enjten një grevë kombëtare të transportit për të hënën për një mosmarrëveshje mbi pagat dhe kushtet e punës. Punonjësit e transportit publik, siguria dhe stafi i aeroporteve në aeroportet kryesore do të ndalojnë punën për 24 orë.
Aeroporti i Frankfurtit tha se greva pritej të shkaktonte ndërprerje të mëdha të hënën dhe po këshillonte pasagjerët që të shmangnin udhëtimin atë ditë.
U njoftua se greva do të prekë edhe personat që lidhen me fluturime të tjera në aeroportin e Frankfurtit.
Sindikata Ver.di filloi një seri grevash këtë muaj pasi raundi i dytë i negociatave kolektive me qeverinë dhe autoritetet lokale përfundoi pa një marrëveshje.
Sindikata, e cila përfaqëson rreth 2.5 milionë punëtorë në sektorin publik, kërkon rritje pagash me 10.5 për qind dhe jo më pak se 500 euro për shkak të inflacionit të lartë dhe rritjes së kostove të jetesës.
Një raund i ri negociatash pritet të fillojë javën e ardhshme./FolDrejt/